E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FRANCË – Depardieu dhe Houellebecq nën hetim për përdhunim në grup gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”

FRANCË – Depardieu dhe Houellebecq nën hetim për përdhunim në grup gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”

PARIS, 21 nëntor /ATSH-AFP/- Një hetim për përdhunim në grup ndaj aktorit Gérard Depardieu dhe shkrimtarit Michel Houellebecq, është hapur në Francë, pas denoncimit të një gruaje për dhunë seksuale gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”, në vitin 2018.

Në çështje është përfshirë edhe regjisori Guillaume Nicloux, i dyshuar për bashkëpunim në veprat penale.

Hetimi është hapur nga drejtësia franceze, pas një kallëzimi të paraqitur në maj të vitit 2025, nga një aktore me origjinë sllave, e cila pretendon se është përballur me dhunë seksuale më 11 dhjetor 2018, gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”, në një hotel-spa në Cabourg, në rajonin e Normandisë.

Çështja i është besuar Policisë Gjyqësore të Parisit.

Sipas kallëzimit, gruaja ishte kontaktuar për të marrë pjesë në një skenë, ku do të luanin edhe Depardieu dhe Houellebecq, të cilët në film interpretonin versione të vetvetes.

Ajo ishte rekomanduar për këtë rol nga aktori Gérard Depardieu, me të cilin ishte njohur më parë dhe kishte pasur një marrëdhënie.

Sipas dëshmisë së saj, skenari parashikonte një skenë feste në suitën e hotelit, ku dy burrat dhe dy gra do të flirtonin, do të hanin, do të pinin dhe do të kërcenin. Skena nuk parashikonte marrëdhënie seksuale.

Megjithatë, sipas denoncimit, situata ndryshoi gjatë xhirimeve.

Aktorja pretendon se Gérard Depardieu e ka prekur dhe sulmuar seksualisht, ndërsa Michel Houellebecq, më pas e ka detyruar të kryejë akte seksuale ndaj tij.

Sipas raportimeve të medieve franceze, të dy burrat ndodheshin në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.

Gruaja pretendon se nuk kishte dhënë pëlqimin për veprimet seksuale që, sipas saj, ndodhën gjatë xhirimeve.

Në kallëzim është përfshirë edhe regjisori Guillaume Nicloux, i cili dyshohet për bashkëpunim në përdhunim dhe sulme seksuale në grup, si dhe për regjistrimin e pamjeve me përmbajtje seksuale që cenojnë privatësinë e aktores.

Regjisori ka deklaruar për “Mediapart” se nuk kishte konstatuar ndonjë detyrim apo ushtrim presioni ndaj gruas gjatë xhirimeve.

Megjithatë, ai ka pranuar se më pas i ka kërkuar falje aktores.

Sipas raportimeve, gruaja kishte kërkuar edhe shkatërrimin e pamjeve të regjistruara gjatë asaj skene, për shkak të natyrës së tyre dhe rrethanave në të cilat pretendohet se ishin filmuar.

Aktorja e paraqiti kallëzimin në maj 2025, rreth gjashtë vjet e gjysmë pas ngjarjeve të pretenduara.

Pas kallëzimit, autoritetet franceze hapën një hetim gjyqësor, i cili tashmë i është besuar Policisë Gjyqësore të Parisit.

Avokatët e Depardieu kanë deklaruar për mediet se nuk ishin në dijeni të kësaj procedure, ndërsa përfaqësuesit e Houellebecq nuk kanë dhënë një përgjigje.

Asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur deri tani një reagim publik të drejtpërdrejtë për akuzat konkrete.

Çështja e re vjen në një moment kur Depardieu përballet edhe me procese të tjera gjyqësore.

Aktori 77-vjeçar është përballur më parë me akuza të shumta për dhunë seksuale.

Në një çështje tjetër, që lidhej me sulme seksuale ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts”, ai ishte dënuar me 18 muaj burg me kusht.

Së fundmi, ai hoqi dorë nga apelimi i vendimit, duke e lënë atë përfundimtar.

Gjithashtu, Depardieu pret një vendim tjetër të gjykatës së apelit në Paris, lidhur me dërgimin ose jo të tij për gjykim në një çështje përdhunimi ndaj aktores Charlotte Arnould. Ai i ka kundërshtuar këto akuza. /

Lini një koment