Kapiteni i anijes Costa Concordia lë qelinë pas 9 vitesh, përfiton lirinë me kusht
Francesco Schettino, kapiteni i anijes Costa Concordia, ka dalë nga burgu i Rebibbia-s mbrëmjen e së premtes, siç njofton Shqiptarja.com. Ai ka përfituar masën e lirisë me kusht pranë shërbimeve sociale, të dhënë ditët e fundit nga gjykata e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve, masë e konfirmuar nga avokatja e tij, Francesca Carnicelli.
Anija Costa Concordia u mbyt më 13 janar 2012 në shkëmbinjtë përreth ishullit Giglio, një tragjedi në të cilën humbën jetën 32 persona dhe mijëra të tjerë mbetën të bllokuar në det — tragjedia më e madhe në detet italiane gjatë dekadave të fundit. Për këtë ngjarje, Schettino ishte dënuar nga gjykata e Grosseto-s me 16 vjet burg.
Në burg ai ka kaluar nëntë vjet e gjysmë, ndërsa i mbeten edhe 6 vjet e gjysmë dënim për t’i vuajtur pranë shërbimit social. Ende nuk dihet se çfarë detyre do të kryejë pranë shërbimit social dhe as se ku do të vendoset.
Më 8 prill 2025, Schettino kishte hequr dorë nga regjimi i gjysmëlirisë, që i lejonte kthimin çdo natë në burg, edhe për shkak të polemikave që shpërthyen pas atij vendimi.