FRANCË – Mijëra turistë evakuohen nga resorti bregdetar, Lacanau për shkak të zjarreve
LACANAU, 28 korrik /ATSH-DPA/- Mijëra turistë po evakuohen nga bregdeti francez i Atlantikut për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret pyjore, në resortin e njohur turistik Lacanau.
Prefektura e Bordosë urdhëroi sot në mëngjes, evakuimin e kampeve turistike dhe fshatrave të pushimit në zonat Lacanau dhe Oqeanin Lacanau.
Pushuesve iu kërkua të merrnin me vete të gjitha bagazhet dhe të ndiqnin me përpikëri udhëzimet e shërbimeve të emergjencës.
Rreth 4 mijë persona janë prekur nga masa e evakuimit. Autoritetet bënë të ditur se, për momentin, qyteti i Lacanau-së dhe banorët e tij nuk janë të përfshirë në evakuim.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një evakuim parandalues, i ndërmarrë për shkak të mundësisë së përkeqësimit të kushteve të motit.
Me afrimin e një tjetër vale të të nxehtit, temperaturat pritet të rriten dhe lagështia e ajrit të ulet.
Shërbimet zjarrfikëse shpjeguan se nxehtësia dhe era, po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve, megjithëse flakët nuk janë përhapur më tej që prej fundjavës.
Mijëra efektivë të emergjencave, vijojnë të jenë të angazhuar në luftën kundër vatrave të mbetura të zjarrit. /