E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›FSRTK kërkon zgjidhje urgjente për financimin e RTK-së: Punëtorët po paguajnë çmimin e neglizhencës institucionale

FSRTK kërkon zgjidhje urgjente për financimin e RTK-së: Punëtorët po paguajnë çmimin e neglizhencës institucionale

Federata Sindikale e RTK-së (FSRTK) u ka kërkuar Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e problemeve financiare dhe institucionale të Radio Televizionit të Kosovës, përfshirë përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave të punëtorëve, siç njofton RTK.

Federata ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se gjetjet e tij konfirmojnë gjendjen e rëndë financiare dhe institucionale të transmetuesit publik. Sipas FSRTK-së, raporti evidenton mungesën e një modeli të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit, buxhetin e pamjaftueshëm, borxhet e akumuluara, detyrimet financiare, problemet pronësore dhe paqëndrueshmërinë institucionale. “Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe as të trajtohet si një problem që mund të zgjidhet me vendime të përkohshme”, thuhet në reagim.

FSRTK-ja kërkon masa të menjëhershme për financim të qëndrueshëm dhe të pavarur në përputhje me ligjin në fuqi, zgjidhjen e borxheve dhe të detyrimeve financiare, zgjidhjen e çështjeve pronësore, sigurimin e stabilitetit institucional e menaxherial, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave. Federata thekson se nuk do të heqë dorë nga kërkesat për paga më dinjitoze dhe respektim të të drejtave të punëtorëve.

“Kontributi dhe profesionalizmi i punëtorëve duhet të vlerësohen me trajtim dhe kompensim të merituar. Nuk mund të kërkohet përgjegjësi dhe përkushtim nga punëtorët, ndërkohë që të drejtat dhe mirëqenia e tyre mbeten në plan të dytë”, thuhet në reagimin e cituar nga RTK. “RTK-ja nuk mund të mbahet peng i neglizhencës institucionale, ndërsa punëtorët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë çmimin e kësaj papërgjegjësie.”

Sipas federatës, shqetësimet janë ngritur vazhdimisht, por deri më tani nuk janë ofruar masa konkrete, prandaj institucioneve u kërkohen vendime konkrete dhe jo vetëm premtime.

Lini një koment