E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Fterra, fshati i burimeve, i dijes dhe i kujtesës

Fterra, fshati i burimeve, i dijes dhe i kujtesës

Thuhet se dikur, në grykën e Fterrës, mbërritën për gjueti katër vëllezër: Gjoni, Lleshi, Çoku dhe Xhama. Të tërhequr nga burimet e ujit dhe kushtet e favorshme të natyrës, ata u vendosën aty, duke hedhur, sipas gojëdhënës, themelet e katër lagjeve të hershme të fshatit.

Gjofterraj, Bregu i Lleshe, Çokaj dhe Xhamaj, janë emërtime që tradita vendase i lidh me këtë rrëfim, të përcjellë brez pas brezi, por pa pasur dokumente historike që ta provojnë.

Sot, përgjatë rrugës që lidh Borshin me Kuçin, mes shpateve malore të Kurveleshit të Poshtëm, Fterra shfaqet me shtëpitë e saj të gurta, oborret, portat me qemer dhe gjelbërimin që e shoqëron edhe në muajt e dimrit.

Në fund të nëntorit, vjeshta i ka dhënë peizazhit një tjetër pamje. Gjethet kanë mbuluar rrugicat, ndërsa zhurma e ujit që zbret nga mali ndërpret heshtjen e fshatit.

Administrativisht pjesë e bashkisë së Himarës, Fterra ndërthur tiparet e një vendbanimi malor me klimën mesdhetare të bregdetit të Jonit.

Territori i saj përshkohet nga burime karstike, ndër të cilat Ixori, Ngurrëza, Gjezhdanica, Langadha dhe Vidhëza. Formacionet shkëmbore dhe shpellat e Kazhanit, Soroit e Gjolekës plotësojnë peizazhin natyror të zonës.

Përpara dokumentit të parë

Kur ka nisur të banohet Fterra?

Kësaj pyetjeje i është kthyer edhe akademiku Muzafer Korkuti, një prej emrave më të njohur të arkeologjisë shqiptare, i lindur në këtë fshat në vitin 1936.

Në shkrimin “Fterra në vite – 570-vjetori i saj”, botuar në tetor të vitit 1999 në gazetën “Fterra jonë”, Korkuti vëren se vendosja e banorëve në këtë territor duhet parë si një proces gradual dhe jo si një ngjarje që i përket një date të caktuar.

Sipas tij, lugina fillimisht mund të jetë shfrytëzuar për gjueti dhe kullota nga popullsia e vendbanimeve të lashta pranë Jonit, ndër të cilat Badhra, Sopoti dhe Qeparoi, ku dëshmitë arkeologjike e çojnë banimin deri në epokën e bronzit.

Korkuti i kushton vëmendje të veçantë edhe toponimisë së Fterrës.

Emërtimi Qafa e Qishës, sipas tij, lidhet me gjurmët e një vendbanimi mesjetar, ndërsa emra të tjerë dëshmojnë ndikimet gjuhësore dhe kulturore që kanë depërtuar në këtë territor gjatë shekujve.

Me interes të veçantë është edhe hipoteza e akademikut mbi praninë e mundshme të një familjeje hebreje në Fterrë, të cilën ai e lidh me disa toponime dhe emra të trashëguar në fshat.

Fterra në dokumentet osmane

Dokumenti më i hershëm i shkruar që njihet deri më sot për Fterrën është regjistri osman i vitit 1431.

Vendbanimi, i identifikuar me emërtimin Efteran, përfshihej në njësinë administrative të Sopotit, në kazanë e Gjirokastrës, dhe numëronte 12 njësi familjare të regjistruara për qëllime fiskale.

Në regjistrimin e vitit 1583, numri i vatrave familjare kishte arritur në 24.

Kryeplaku i Fterrës, Profit Zani, i tregon ATSH-së edhe një listë me emrat e banorëve të shekullit XVI, të cilën, sipas tij, e ka siguruar nga studimet e historianit Ferit Duka.

Në kujtesën e banorëve ruhen versione të ndryshme mbi origjinën e familjeve dhe ndryshimet fetare që ka përjetuar fshati.

Një prej tyre, që rrëfen Zani, e lidh themelimin e Fterrës me Gjon Gjokën, një udhëtar që kërkonte shërim për të birin e sëmurë dhe që u ndal pranë një burimi.

Ashtu si gojëdhëna e katër vëllezërve, edhe ky rrëfim mbetet pjesë e folklorit lokal.

Një histori e shkruar edhe në gur

Banesat tradicionale të Fterrës, me mure prej guri, ndërtime dykatëshe dhe oborre të rrethuara, ruajnë elemente karakteristike të arkitekturës së zonës.

Por në fshat gjendet edhe një objekt i pazakontë, një pllakë me dy pëllumba të gdhendur, të cilën Profit Zani e daton në vitin 1912.

Sipas interpretimit të tij, njëri pëllumb sjell nga Vlora lajmin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa tjetri përcjell drejt saj përshëndetjen e banorëve të Fterrës.

Zani ia atribuon realizimin e pllakës muratorëve gollobordas, të cilët punonin në ndërtimin e banesave të fshatit. Në konceptimin e saj, tregon ai, kanë marrë pjesë edhe klerikët vendas.

Pavarësisht se historia e këtij objekti kërkon dokumentim të mëtejshëm, simbolika e tij përbën një element interesant të trashëgimisë lokale.

Në vitet që pasuan shpalljen e Pavarësisë, Fterra përjetoi një nga periudhat më të vështira të historisë së saj. Luftimet në jug të vendit detyruan banorët të largoheshin nga shtëpitë.

Kur u rikthyen, një pjesë e madhe e fshatit ishte shkatërruar.

Mes punëve të rindërtimit, banorët ndërmorën edhe një nismë që do të përcaktonte identitetin e Fterrës për dekadat në vazhdim: hapjen e shkollës shqipe.

110 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe

Në tetor të vitit 1916, vetëm katër vjet pas shpalljes së Pavarësisë, në Fterrë u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe.

Sipas shkrimeve të mësuesit dhe studiuesit Bardhyl Xhama, të botuara në gazetën “Fterra jonë”, shkolla nisi me rreth 20 fëmijë, të moshës 7 deri në 12 vjeç. Mësuesi i saj i parë ishte Selim Gjonika, i shkolluar në medresenë e Janinës.

Në vitin 1925 banorët ndërtuan një godinë të re shkollore, ndërsa viti shkollor 1926–1927 shënoi një zhvillim të rëndësishëm shoqëror: përfshirjen e vajzave në procesin mësimor.

Nga 39 nxënës të regjistruar në tri klasa, 16 ishin vajza.

Në një periudhë kur shkollimi i vajzave në zonat rurale të Shqipërisë përballej ende me pengesa të shumta, kjo përbënte një arritje të rëndësishme për komunitetin.

Në vitet 1930, të rinjtë e Fterrës nisën të ndiqnin studimet në Normalen e Elbasanit dhe në gjimnazet e Gjirokastrës e të Tiranës.

Kështu u formua një brez mësuesish që do të punonin në krahina të ndryshme të Shqipërisë, duke i dhënë Fterrës edhe emërtimin “fshati i mësuesve”.

Në vitin 1961, fshati u dekorua për kontributin e banorëve të tij në zhvillimin e arsimit shqiptar.

Makina e shkrimit e një mësuesi

Një pjesë e kësaj historie ruhet edhe në shtëpinë e kryeplakut Profit Zani.

Mes fotografive, librave dhe dokumenteve familjare, ai ruan makinën e shkrimit të babait të tij, Naim Sulo Zani, i cili, sipas dëshmisë së të birit, kishte nisur punën si mësues në vitin 1916.

“Kjo është makina e shkrimit e babait tim dhe e ruaj si relike, sepse e ka përdorur që nga viti 1940 e më pas, kur punonte si mësues”, tregon ai për ATSH-në.

Zani rrëfen se i ati kishte ushtruar profesionin në disa zona të vendit si në Progonat, Amonicë, Kuç, Borsh, Delvinë por jetën më të gjatë e ka pasur në Fterrë.

Makina e shkrimit mbetet sot një dëshmi familjare e jetës së një prej arsimtarëve të brezit të parë të shtetit shqiptar.

Zërat e botës përtej maleve

Një tjetër objekt që Profit Zani ruan nga i ati është një radio e vitit 1955. Sipas tij, radioja u ble në kohën kur në Fterrë mbërriti energjia elektrike. “E ruaj si relike, në kujtim të babait tim”, thotë ai.

Për një vendbanim të rrethuar nga malet, radioja përfaqësonte një mënyrë të re komunikimi me botën. Lajmet dhe muzika mbërrinin tashmë në shtëpitë e banorëve pa qenë nevoja që dikush të përshkonte kilometrat që ndanin fshatin nga qytetet.

Sot, në të njëjtën shtëpi, makina e shkrimit dhe radioja dëshmojnë dy momente të transformimit kulturor e teknologjik të shekullit të kaluar.

Një fshat i vogël në hartën e shkencës dhe kulturës shqiptare

Fterra ka një traditë intelektuale që tejkalon përmasat e saj si vendbanim.

Prej këtij fshati vjen akademiku Muzafer Korkuti, i cili ia kushtoi karrierën studimit të prehistorisë shqiptare, drejtoi Institutin e Arkeologjisë dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Kontributi i tij shkencor përfshin studimet mbi kulturat neolitike, eneolitike dhe ilire, si dhe drejtimin e gërmimeve në qendra të rëndësishme arkeologjike të vendit.

Nga Fterra është edhe juristi Ismet Elezi, i njohur për studimet mbi të drejtën zakonore shqiptare dhe Kanunin e Labërisë.

Traditës arsimore i përkasin edhe emra si Lame Xhama, Xhevdet Kofina dhe Bardhyl Xhama, ndërsa jeta letrare dhe kulturore e fshatit është pasuruar nga krijimtaria e autorëve me origjinë prej tij.

Një vend të rëndësishëm në jetën kulturore zë edhe polifonia labe. Grupi folklorik “Fterra në këngë”, i krijuar në vitin 1947, ka përfaqësuar traditën muzikore të fshatit në veprimtari krahinore dhe festivale kombëtare.

Fshati që ka gazetën e vet

Në maj të vitit 1997 doli numri i parë i gazetës “Fterra jonë”, një periodik historik dhe kulturor, i themeluar nga Muzafer Korkuti, Agron Xhama dhe Guro Zeneli.

Në faqet e saj janë dokumentuar historia, arsimi, traditat, toponimet, fotografitë familjare dhe jeta e banorëve të shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë vendit.

Për një fshat të vogël, botimi i një gazete të posaçme përbën një formë të veçantë të organizimit të kujtesës kolektive.

Biblioteka dhe libri që vazhdon të shkruhet

Në Fterrë, krahas gazetës, një tjetër nismë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore është biblioteka e krijuar nga Profit Zani.

Ai tregon se nisi të grumbullonte libra në vitin 1974, kur ishte ende nxënës i shkollës së mesme.

Më pas, koleksioni u pasurua me botime të autorëve me origjinë nga Fterra, studime mbi bregdetin dhe Labërinë, dokumente historike, fotografi dhe materiale gjenealogjike. Në një reportazh të botuar në vitin 2016, fondi i bibliotekës numëronte rreth 900 tituj.

Mes librave gjendet edhe një vëllim që nuk ka përfunduar së shkruari.BËshtë libri i përshtypjeve, ku njerëzit që vizitojnë Fterrën lënë shënimet e tyre.

Disa vijnë për të njohur një fshat të Labërisë, të tjerë për të parë vendin ku kanë lindur prindërit apo gjyshërit e tyre.

Një gjeografi që shtrihet përtej fshatit

Ashtu si shumë vendbanime rurale shqiptare, Fterra ka përjetuar largimin e banorëve drejt qyteteve dhe emigracionit. Por historia e saj nuk kufizohet te popullsia që jeton sot në fshat.

Familjet fterriote kanë krijuar komunitete në Tiranë, Sarandë, Vlorë, Tepelenë, Fier dhe në shumë vende të botës. Lidhjet me vendin e origjinës janë ruajtur përmes takimeve, botimeve dhe marrëdhënieve familjare.

Në Fterrën e sotme, burimet vazhdojnë të rrjedhin pranë shtëpive të gurta. Disa porta hapen çdo mëngjes, të tjera presin kthimin e njerëzve që jetojnë larg.

Dikur mësuesit e këtij fshati u nisën drejt krahinave të ndryshme të Shqipërisë për të përhapur dijen.

Sot, përmes librave, dokumenteve dhe kujtesës familjare, një pjesë e asaj dijeje rikthehet në vendin nga ku ishte nisur.

Lini një koment