Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaGAZA – Nxënësit rikthehen në shkolla pas gati tre vitesh

GAZA – Nxënësit rikthehen në shkolla pas gati tre vitesh

– Qindra mijëra fëmijë në Gaza janë rikthyer në shkolla, për herë të parë pas gati tre vitesh. Mësimi po zhvillohet në ndërtesa të dëmtuara, shkolla të përkohshme dhe tenda, ndërsa shumë familje nuk kanë mundësi të blejnë libra, fletore, stilolapsa apo uniforma, sipas “Reuters”.

Sipas UNICEF-it, 98% e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës.

Autoritetet arsimore palestineze, thonë se rreth 660 mijë nxënës kanë mbetur pa mësim të rregullt në klasa gjatë konfliktit.

Për vitin shkollor 2026-2027, rreth 540 mijë nxënës pritet të ndjekin mësimin fizik në shkolla të përkohshme, qendra të improvizuara mësimore dhe ambiente të tjera të ngritura me tenda, llamarina, dru dhe materiale të tjera.

Për fëmijët që nuk mund të marrin pjesë fizikisht, do të vijojë edhe mësimi online.

Në shumë prej këtyre ambienteve nuk ka kushte normale mësimore.

Disa klasa janë ngritur mbi rërë, ndërsa në të tjera nxënësit ulen në dyshekë dhe kanë vetëm një dërrasë të zezë.

Disa ambiente vazhdojnë të përdoren edhe nga familjet e zhvendosura.

Nxënësit kanë treguar se, pavarësisht kushteve të vështira, duan të rikthehen në shkollë.

Edhe materialet shkollore janë bërë shumë më të shtrenjta. Një tregtar në Gaza tha se një fletore që para luftës kushtonte 3 shekelë (0,86 euro) tani shitet për rreth 15 shekelë (4,32 euro), ndërsa kufizimet mbi furnizimet kanë ndikuar në mungesën dhe rritjen e çmimeve.

Sipas “Reuters”, autoritetet palestineze thonë se më shumë se 73 mijë njerëz janë vrarë në ofensivën izraelite në Gaza, e nisur pas sulmit të Hamasit në Izrael në tetor 2023. /

Lini një koment