Gjendet pa shenja jete një 34-vjeçar në shtëpinë e tij në Gjilan
Një mashkull 34-vjeçar është gjetur pa shenja jete të martën brenda shtëpisë së tij në qytetin e Gjilanit, ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, deklaroi se më datën 22.09.2026 kanë pranuar informacion se një person mashkull i vitit të lindjes 1992 është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në qytetin e Gjilanit.
“Njësitet relevante policore së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës”, tha Osmani.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Hetuesit e Njësitit të Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Burimi: Klan Kosova