GJERMANI – Dhuna ndaj grave në nivele rekord, mbi 280 mijë viktima në një vit
BERLIN, 24 nëntor /ATSH-DPA/ – Dhuna ndaj grave në Gjermani është rritur ndjeshëm, si në mjedisin familjar, ashtu edhe në atë digjital, sipas të dhënave më të fundit të publikuara të sot nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA).
Sipas statistikave për vitin 2025, numri i grave viktima të dhunës në familje u rrit me 2,8%, duke arritur në 197 667 raste.
Ndërkohë, në rastet e vrasjeve të mbetura në tentativë ose të kryera, u regjistruan 1 176 gra viktima, krahasuar me 859 një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se dhuna ndaj grave, është rritur në të gjitha kategoritë e veprave penale të analizuara, pavarësisht prirjes së përgjithshme në rënie të kriminalitetit të dhunshëm në vend.
Sipas raportit të BKA-së, në vitin 2025 u regjistruan 54 675 gra dhe vajza viktima të veprave penale seksuale, një rritje prej 2,3% krahasuar me vitin paraardhës.
Pothuajse gjysma e tyre ishin të mitura në momentin e kryerjes së veprës penale.
Një rritje edhe më e madhe u evidentua në rastet e dhunës digjitale.
Numri i grave dhe vajzave të prekura arriti në 31 221, ose 15,7% më shumë se në vitin 2024.
Në shumicën e rasteve bëhej fjalë për detyrim, kërcënime dhe përndjekje. Rreth 30% e viktimave ishin të mitura.
Edhe veprat penale me motive mizogjene, të regjistruara si pjesë e kriminalitetit me motive politike, shënuan rritje të konsiderueshme.
Policia regjistroi 819 raste, pothuajse 50% më shumë se një vit më parë.
Më shumë se gjysma e tyre përfshinin fyerje, ndërsa pjesa tjetër lidhej kryesisht, me përhapjen e propagandës dhe nxitjen e urrejtjes.
Në total u regjistruan 54 vepra penale të dhunshme me motive kundër grave, kryesisht raste të dëmtimit të integritetit fizik.
Në vitin 2025, policia regjistroi gjithsej 280 129 persona viktima të dhunës në familje, një rritje prej 2,8% krahasuar me vitin 2024. Ky është niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.
Nga këto raste, 179 940 lidhen me dhunën në marrëdhëniet në çift, përfshirë partnerët aktualë dhe ish-partnerët, ndërsa 100 189 raste përfshijnë dhunën brenda familjes.
Numri i viktimave në rastet e dhunës në çift, u rrit me 2,3%, ndërsa ai i dhunës brenda familjes me 3,7%.
Gratë përbënin 70,6% të të gjitha viktimave të dhunës në familje. Përqindja ishte edhe më e lartë në rastet e dhunës në çift, ku 79,4% e viktimave ishin gra.
Konkretisht, më shumë se 142 800 gra dhe vajza u regjistruan si viktima të dhunës nga partnerët ose ish-partnerët e tyre.
Kjo do të thotë se, mesatarisht, më shumë se 16 gra dhe vajza në orë, u prekën nga kjo formë dhune. Rreth tri të katërtat e personave të dyshuar për dhunë në familje ishin burra.
Raporti evidenton gjithashtu se 292 persona humbën jetën si pasojë e dhunës në familje gjatë vitit 2025, krahasuar me 286 në vitin 2024.
Mes viktimave ishin 209 gra dhe vajza. Nga këto të fundit, 130 u vranë nga partnerët aktualë ose ish-partnerët e tyre.
Autoritetet gjermane theksojnë se statistikat policore nuk regjistrojnë motivin e çdo vrasjeje dhe, për këtë arsye, këto raste nuk mund të klasifikohen automatikisht si femicide, vrasje të grave për shkak të gjinisë së tyre.
Megjithatë, për herë të parë, raporti përfshin një përkufizim të femicideve, të hartuar nga një grup pune i përbashkët i qeverisë federale dhe landeve gjermane.
Synimi është që në të ardhmen këto raste të identifikohen dhe regjistrohen në mënyrë më të qartë.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, i cilësoi shifrat tronditëse dhe theksoi nevojën për mbrojtje më të mirë të viktimave, ndëshkim të autorëve dhe parandalim të hershëm të dhunës.
Ministrja e Familjes, Karin Prien, deklaroi se shifrat tregojnë se dhuna ndaj grave është bërë një problem i përditshëm në Gjermani.
Ajo bëri të ditur se qeveria po punon për forcimin e shërbimeve të mbështetjes dhe krijimin e një rrjeti më të gjerë strehimi dhe këshillimi për gratë dhe fëmijët e tyre.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Stefanie Hubig, nënvizoi se mbrojtja nga dhuna kërkon një sërë masash, përfshirë mundësinë që gjykatat familjare të urdhërojnë vendosjen e byzylykëve elektronikë për personat e dhunshëm, zgjerimin e mbështetjes psikologjike dhe sociale për viktimat gjatë proceseve gjyqësore dhe ashpërsimin e dënimeve për autorët, që përdorin substanca narkotike për të droguar viktimat.
Studimi për situatat e jetesës, sigurinë dhe përvojat e dhunës në jetën e përditshme, i publikuar në fillim të vitit 2026, tregoi se për shumicën e formave të dhunës, më pak se 10% e rasteve raportohen në polici. Në rastin e abuzimeve seksuale, vetëm 3% e grave të prekura i denoncojnë ato. /