Gjini kritikon Qeverinë: Importi i qumështit është rritur për 1 milion litra në muaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër Qeverinë për situatën në sektorin e qumështit, duke deklaruar se importi i qumështit në Kosovë është rritur për rreth 1 milion litra në muaj, siç njofton Klan Kosova.
Në intervistën e tij në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Gjini akuzoi qeverisjen se politikat e saj nuk po mbrojnë prodhuesit vendorë, të cilët po humbin terren përballë konkurrencës së importit.
Sektori i qumështit në Kosovë prej kohësh përballet me vështirësi: vetëm gjatë vitit 2025 importet e produkteve të qumështit kapën vlerën e rreth 89.8 milionë eurove, ndërsa çdo vit në tregun vendor importohen rreth 28 milionë litra qumësht i freskët.
Fermerët kanë kërkuar vazhdimisht masa mbrojtëse dhe ndërhyrje nga institucionet, duke paralajmëruar se konkurrenca e padrejtë dhe kostot e larta të prodhimit po rrezikojnë qëndrueshmërinë ekonomike të fermave vendore.
Deklaratat e Gjinit vijnë në një kohë kur debati për mbrojtjen e prodhimit vendor është rikthyer në qendër të vëmendjes publike, pas masave të Qeverisë për kufizimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë përpunuese.