Gjobitja e 17-vjeçarit jetim, Karamuço: Gjykata do të shqyrtojë të gjitha rrethanat
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin” eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço foli për rastin e të miturit jetim, i cili u gjobit nga policia me 5 milionë lekë të vjetra për pjesëmarrje në protestë. Karamuço u shpreh se në vlerësimin e masës për protestuesit duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë moshën, gjendjen sociale dhe kushtet e vështira ekonomike në të cilat jeton 17-vjeçari.
Karamuço theksoi se është gjykata ajo që duhet të vlerësojë nëse gjoba e vendosur nga policia është proporcionale me veprimet e të miturit dhe nëse masa është marrë në përputhje me rrethanat konkrete të rastit.
“Në çdo rast merren parasysh të gjitha rrethanat, fakti që është i mitur, fakti që ka probleme sociale, ka jetë të vështirë dhe kushte të vështira. Të gjitha këto patjetër duhet t’i referohen gjykatës në marrjen e një vendimi. Ky është një rast për të treguar se, krahas atyre protestuesve që janë me probleme, ka edhe protestues të cilët janë ngritur dhe protestojnë aty për këto kushte që ne tregojmë në ekran. Ka një kërkesë legjitime pse ngrihen dhe të miturit në rastin konkret. Por problemi është që policia ka dy mjete: ose ndëshkimin administrativ, ose ndjekjen penale. Të dyja i vlerëson si në rastin e të miturve, ashtu edhe të të rriturve. A janë proporcionale, a janë të ligjshme? Sigurisht që janë, por sa qëndrojnë në rrethanat konkrete, këtë e vendos gjykata. Ne nuk mund të themi apriori nëse gjoba e policisë ndaj veprimeve të të miturit 17-vjeçar ka qenë proporcionale apo jo. Ka pasur raste të personave të caktuar që kanë pasur alibi se nuk kanë qenë në protestë, por më pas kanë dalë dokumentet dhe raportet filmike ose shkresore që kanë marrë pjesë aktive, madje kanë goditur policinë me mjete të rrezikshme, molotovë e kështu me radhë”, tha Karamuço.