Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaGjyqi Partizani, zbardhet dëshmia e ish-Ministrit Genc Ruli: Ja si u bë privatizimi

Gjyqi Partizani, zbardhet dëshmia e ish-Ministrit Genc Ruli: Ja si u bë privatizimi

Ka vijuar këtë të hënë seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha. Në këtë seancë është marrë në pyetje ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili është pyetur për procedurat e privatizimit dhe trajtimin e pronave shtetërore.

Ruli u shpreh se Ministria e Ekonomisë përfaqësonte shtetin si pronar civil dhe kishte kompetencë për procedurat e privatizimit:

“Ministria e ekonomisë është përfaqësues i shtetit, pronar civil. Asnjë kontratë që ka të bëjë me pronat shtetërore nuk mund të firmoset veçse nga Ministria e Ekonomisë.”

Ai shtoi se proceset bazoheshin në dokumentet e sjella nga institucionet përkatëse:

“Ne i besonim dosjes që dërgonte institucioni.”

I pyetur për rastin konkret, Ruli deklaroi se kishte informacion për një proces privatizimi dhe se ishte trajtuar si pronë shtetërore:

“Prona ishte e njohur. U ishte njohur e drejta e parablerjes.”

Ai tha gjithashtu se në atë periudhë, administrata mbështetej në dokumentacionin zyrtar:

“Shteti nuk i ka të regjistruara të gjitha pronat. Mund të kenë qenë vetëm një pjesë e vogël me hipotekë.”

Ruli theksoi se procedurat e privatizimit kalonin përmes ministrive përkatëse:

“Vendimin e merrte ministria që e zotëronte pronën.”

Duke folur për kompleksitetin e procesit, ai shtoi:

“Ka qenë mori procedurash dhe ndryshimesh në vendime të ndryshme.”

Në dëshminë e tij u prekën edhe ndryshimet ligjore për objektet sportive dhe mënyrën e privatizimit apo koncesionimit të tyre. Ruli u shpreh se shumë vendime ishin rezultat i proceseve të gjata administrative:

“Ka qenë një periudhë me ndryshime të shumta ligjore dhe nënligjore.”

Lini një koment