Grabitja e 43 mijë eurove në Ballsh, shiriti i dasmës zbuloi autorët. Si u organizua skema me dy makina
Një shirit i kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur” është kthyer në një nga provat kryesore që ndihmoi hetuesit të zbardhnin grabitjen e një agjencie udhëtimi dhe këmbimi valutor në Ballsh, ku u morën rreth 43 mijë euro dhe 1 milion lekë. Ngjarja ndodhi më 26 mars të këtij viti, ndërsa pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Fierit ka përfunduar dosjen dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të tre personave të dyshuar për përfshirje në vjedhje.
Sipas materialeve hetimore, autorët dyshohet se kishin hartuar një plan të detajuar përpara se të kryenin grabitjen, duke përdorur dy automjete dhe një mënyrë të pazakontë për të fshehur targat e makinës së përdorur gjatë ngjarjes.
Por, si u realizua grabitja?
Në orën 16:17 të datës 26 mars, Ferat Shehaj, punonjës në agjencinë e udhëtimit dhe këmbimit valutor në Ballsh, u largua për disa çaste nga ambientet e punës për të marrë automjetin e tij, të parkuar rreth 100 metra larg. Mbi tavolinë kishte lënë një çantë shpine, ku ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë.
Pikërisht në këtë moment, në ambientet e agjencisë hyri një person i maskuar, i veshur me të zeza, me kapuç, kapele dhe doreza. Ai mori çantën me paratë dhe u largua menjëherë, pa u ndalur te sendet e tjera që ndodheshin në tavolinë.
Pas grabitjes, personi i dyshuar u largua me një Audi A4 të zi, të pajisur me portobagazh, në drejtim të Hekalit, Klosit dhe më pas Fierit. Ferat Shehaj u vu në ndjekje të automjetit dhe njoftoi policinë. Gjatë dëshmisë, ai përmendi një detaj që rezultoi vendimtar për hetimin: targat e makinës ishin mbuluar me një shirit të kuq ku shkruhej “Çifti, jetë të lumtur”.
Hetuesit nisën verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe arritën të identifikonin automjetin. Gjatë hetimeve u zbulua se disa orë para ngjarjes, njëri prej personave të dyshuar kishte blerë një shirit të tillë në dyqanin “Gold Flower” në Fier. Ky element ndihmoi në lidhjen e personave të dyshuar me automjetin e përdorur gjatë grabitjes.
Një tjetër element që tërhoqi vëmendjen e hetuesve ishte marrja me qira e një automjeti Honda Jazz të zi në Fier, po atë ditë. Sipas dosjes, automjeti ishte marrë nga shtetasja Anna Meissane Boudiaf, ndërsa në sigurimin e tij dyshohet se kishin ndihmuar edhe dy personat e tjerë të përfshirë në hetim.
Prokuroria ka analizuar pamjet filmike të lëvizjeve të tyre që prej orëve të paradites. Në orën 10:53, Audi i zi është filmuar duke mbërritur në një servis automjetesh në aksin Fier-Patos, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë. Prej tij kanë zbritur tre personat e dyshuar, të cilët më pas kanë marrë Honda Jazz-in.
Në orën 11:47, kamerat kanë regjistruar gjithashtu një prej tyre pranë dyqanit të luleve, ku është blerë shiriti i kuq që më vonë u përdor për të mbuluar targat e Audit. Sipas analizës së prokurorisë, Honda Jazz dyshohet se është përdorur për të krijuar një alibi dhe për të kamufluar lëvizjet e personit që kreu grabitjen. Të dhënat GPS të automjetit janë administruar si pjesë e provave, duke dokumentuar lëvizjet e tij gjatë ditës së ngjarjes dhe rifillimin e qarkullimit pas orës 18:39.
Në dosjen hetimore përfshihet edhe një komunikim në Messenger mes Ferat Shehajt dhe një të njohuri të tij që jetonte në Greqi. Sipas materialeve të administruara nga hetuesit, ky person i kishte përcjellë Shehajt një mesazh, ku thuhej se vëllai i njërit prej të dyshuarve kishte pranuar se grabitjen e kishte kryer pikërisht ai.
Motivi i përmendur lidhej me një konflikt të mëparshëm mes tij dhe Shehajt, pasi ky i fundit nuk i kishte prerë një biletë avioni. Gjithashtu, gjatë marrjes në pyetje, njëri prej personave nën hetim ka deklaruar se kishte ndihmuar një të njohur për të marrë një automjet me qira në Fier, duke dhënë detaje për takimin dhe lëvizjet e asaj dite.
Tre persona dërgohen për gjykim
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka arritur në përfundimin se tre të dyshuarit kanë pasur role të ndryshme në realizimin e grabitjes. Sipas akuzës, Gëzim Fejzulla dyshohet si organizator dhe ekzekutor i vjedhjes, Anna Meissane Boudiaf dyshohet se ka ndihmuar në krijimin e alibisë përmes automjetit me qira, ndërsa Arsen (Odise) Saliaj dyshohet se ka kontribuar në sigurimin e automjetit dhe organizimin e lëvizjeve.
Prokuroria ka kërkuar dërgimin e të treve në gjyq, të akuzuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me pasoja të rënda. Kështu, një grabitje e planifikuar me kujdes, ku u përdorën makina të ndryshme dhe u tentua të fshiheshin gjurmët përmes një shiriti dasme, u zbardh falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të dhënave GPS dhe provave të mbledhura gjatë hetimit.