Gruaja përballet me akuza të rënda pas plagosjes së vajzës 5-vjeçare
Fëmija u gjet në pyll me plagë të rënda në qafë dhe fytyrë, ndërsa ëna akuzohet për tentativë vrasjeje
Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Michigan, ku një nënë 40-vjeçare po përballet me akuza serioze penale pasi vajza e saj 5-vjeçare u gjet e plagosur rëndë në një zonë pyjore pranë banesës së tyre.
Sipas raportimeve të UpNorthLive, Christina Kay Crow, banore e Benzie County, është akuzuar për “sulm me qëllim vrasjeje” dhe “abuzim të shkallës së parë ndaj fëmijës”.
Autoritetet ndërhynë më 20 prill, pasi morën një telefonatë për kontroll të mirëqenies në banesën e saj në Lincoln Avenue, në zonën e Thompsonville. Gjatë hetimit fillestar, efektivët u shqetësuan për vendndodhjen e vajzës së mitur, e cila nuk ndodhej në shtëpi.
Pas rreth një ore e gjysmë kërkimesh, vajza 5-vjeçare u gjet në pyll, pas banesës së familjes. Ajo kishte plagë të rënda prerëse në qafë dhe fytyrë, duke ngritur dyshime për një sulm të dhunshëm.
Fëmija u transportua fillimisht në Munson Medical Center në Traverse City për ndihmë urgjente mjekësore, dhe më pas u dërgua për trajtim të mëtejshëm në DeVos Children’s Hospital në Grand Rapids.
Ndërkohë, autoritetet arrestuan nënën në vendngjarje. Ajo doli para gjykatës më 22 prill, ku gjykatësi caktoi një garanci prej 1 milion dollarësh në formë cash ose sigurie.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa gjendja shëndetësore e vajzës nuk është bërë ende publike në detaje.