Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Hamza në ‘Pressing’: Projektligji për Specialen ka vetëm 27 nene, mund të miratohet brenda ditës

Hamza në ‘Pressing’: Projektligji për Specialen ka vetëm 27 nene, mund të miratohet brenda ditës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ishte i ftuar sonte në emisionin “Pressing” të T7, ku foli për nismën ligjore të partisë së tij për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, siç raporton Gazeta Express.

Hamza tha se projektligji i PDK-së ka vetëm 27 nene dhe mund të miratohet brenda një dite: ai kalon leximin e parë, pastaj një mocion për procedurë të përshpejtuar, shqyrtohet në komisionet funksionale dhe kthehet në seancën tjetër, e cila mund të mbahet pas disa orësh. “Nëse mundet ai për Byronë, mundet edhe ky”, tha ai.

Ai sqaroi se nëse Dhoma e Apelit e kthen rastin në rigjykim, procesi duhet të zhvillohet në Prishtinë dhe jo në Hagë.

Hamza reagoi edhe ndaj verdiktit të Speciales, duke thënë se sipas logjikës së këtij vendimi, edhe nënat që u dhanë bukë ushtarëve të UÇK-së do të konsideroheshin “pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale” — diçka që ai e cilësoi si absurde dhe të papranueshme.

Kryetari i PDK-së i bëri thirrje edhe Lëvizjes Vetëvendosje që të bashkëpunojë për miratimin e projektligjit, duke theksuar se çështja i tejkalon ndasitë partiake.

Lini një koment