Hetimet: Artan Murtaj dyshohet se u vra nga ‘killer’ me pagesë, shoqërohen 20 persona
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin me armë zjarri të kryer në Sarandë ndaj shtetasit Artan Murtaj, i njohur ndryshe me nofkën “Tani i Ruzhdiut”.
Hetimi po mbështet mes të tjerash pistën e një krimi të kryer nga persona të paguar për të bërë vrasjen e të ndjerit.
Në vendin e ngjarjes, ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar si provë materiale 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra.
Në kuadër të hetimit, policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e ekzekutimit, ndërsa po këqyren kamerat e sigurisë për të gjurmuar lëvizjet e autorëve.
Në të gjitha akset kryesore dalëse të qytetit të Sarandës janë ngritur postblloqe të shumta kontrolli.
Grupi hetimor po verifikon pistën e një atentati të organizuar nga vrasës me pagesë, si dhe lidhjen e mundshme me konfliktin e korrikut të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende një motiv zyrtar për ngjarjen.