E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Hetimet për abuzimin ndaj 13-vjeçares, arrestohen 2 persona të dyshuar! Prokuroria kërkon edhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë

Hetimet për abuzimin ndaj 13-vjeçares, arrestohen 2 persona të dyshuar! Prokuroria kërkon edhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë

Rasti i rëndë i abuzimit seksual ndaj 13-vjeçares amerikano-shqiptare në Shkodër vijon të zbardhet, ndërsa Policia ka njoftuar ndalimin e dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.

Bëhet fjalë për një 46-vjeçar nga Tirana dhe një 49-vjeçar nga Fieri, ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas Policisë, e mitura ishte larguar nga banesa dhe u gjet pas disa ditësh kërkimesh në Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për trafikim dhe abuzim seksual me të miturën.

Njoftimi i Policisë:

“DVP Shkodër. Ndalohen, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, dy shtetas të dyshuar për trafikim të të miturve dhe abuzim seksual.

Pas kallëzimit të familjarëve se një 13-vjeçare ishte larguar nga banesa, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër nisën kërkimet për gjetjen e saj. Kërkimet u zhvilluan në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë.

Në kuadër të hetimeve për këtë rast, shërbimet e DVP Tiranë ndaluan shtetasin A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shërbimet e DVP Fier ndaluan shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fier.

Gjykata caktoi ndaj të dy shtetasve masën e sigurimit personal “Arrest në burg”. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë”.

Lini një koment