I dënuar me mbi 2 vjet burg, arrestohet 35-vjeçari në Fushë Kosovë
Zyrtarët policorë të stacionit policor në Fushë Kosovë kanë arrestuar një 35-vjeçar të kërkuar nga drejtësia, të identifikuar me inicialet Sh. I., i dënuar me burgim efektiv prej 2 vjetësh e 8 muajsh për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer në kuadër të operacioneve të vazhdueshme të Policisë së Rajonit të Prishtinës për kapjen e personave të kërkuar dhe të dënuar për vepra penale, të cilët i shmangen vuajtjes së dënimit.
I dënuari është ndaluar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente dhe, në përputhje me të, është dërguar për të vuajtur dënimin në institucionin korrektues.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksionet për kapjen e personave të kërkuar do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha komunat e rajonit të Prishtinës.
Burimi: Klan Kosova