Mujku: Viktima të përbashkëta në dy rastet në Hagë, mund të kërkohet kompensim i dyfishtë
Gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku, ka zbërthyer procedurën e radhës në Dhomat e Specializuara në Hagë për dëmshpërblimin e viktimave, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas saj, deri më 14 nëntor, pra brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit, Mbrojtësi i Viktimave do të bëjë nga një vlerësim veç-e-veç për secilin prej të katërve për përgjegjësinë individuale karshi 156 viktimave të pranuara në këtë rast. Mujku kujton se urdhri për kompensim jepet nga Dhomat e Specializuara, jo nga gjykatat e Kosovës.
Ajo bën dallimin me rastet paraprake, ku për Pjetër Shalën u caktuan 208 mijë euro dhe për Salih Mustafën 207 mijë euro — aty të akuzuarit ishin të vetëm dhe Mbrojtësi i Viktimave e kishte më të lehtë të kërkonte një shumë të vetme; në rastin e katërshes llogaritja është më komplekse.
Ajo vë në dukje edhe se vlerësimet për dëmet u dhanë në gjykatore nga dy dëshmitare që, sipas saj, nuk i kishin takuar viktimat një për një, por kishin thënë se kishin shkuar me vlerësime në bazë të mostrave dhe se për ato ngjarje kishin lexuar edhe në libra.
Në fund, Mujku thotë se ka viktima që janë pranuar edhe në rastet e Shalës e Mustafës dhe më vonë edhe në rastin e madh ndaj katërshes — pra kërkohet kompensim i dyfishtë.
Burimi: Klan Kosova