I prenë rrugën dhe tentuan ta rrëmbenin pas konfliktit, arrestohen xhaxha dhe nip në Kukës, ishin në kërkim! | JavaNews.al
Dy persona, xhaxha e nip, janë kapur dhe ndaluar nga Policia e Kukësit, pasi dyshohen se kanë tentuar të marrin me forcë një 42-vjeçar, me të cilin ishin konfliktuar disa orë më parë.
Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet S. J., 45 vjeç dhe S. J., 24 vjeç, banues në Gjinaj të Hasit, të cilët ishin shpallur në kërkim nga policia.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes tyre dhe 42-vjeçarit V. D. ka ndodhur më 20 nëntor 2026, për motive të dobëta.
Disa orë më vonë, në aksin rrugor Kukës-Krumë, dyshohet se dy personat i kanë prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte 42-vjeçari, i shoqëruar nga një punonjës policie.
Më pas, ata dyshohet se kanë tentuar ta marrin me forcë 42-vjeçarin, duke e goditur me sende të forta dhe duke dëmtuar automjetin e tij.
Punonjësi i Policisë që ndodhej në automjet ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera policore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj dy të ndaluarve rëndojnë dyshimet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.