I prenë rrugën në aksin Kukës-Krumë dhe tentuan ta rrëmbenin, arrestohen xhaxha e nip
Dy persona, xhaxha e nip, janë kapur dhe ndaluar nga Policia e Kukësit, pasi dyshohet se tentuan të merrnin me forcë një 42-vjeçar, me të cilin ishin konfliktuar disa orë më parë, siç njofton BalkanWeb.
Në pranga ranë shtetasit S. J., 45 vjeç, dhe S. J., 24 vjeç, banues në Gjinaj të Hasit, të cilët ishin shpallur në kërkim pas ngjarjes së ndodhur më 20 nëntor 2026.
Sipas hetimeve, konflikti mes tyre dhe 42-vjeçarit V. D. ka nisur për motive të dobëta. Disa orë më vonë, në aksin rrugor Kukës-Krumë, dyshohet se xhaxha e nip i kanë prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte 42-vjeçari, i shoqëruar nga një punonjës policie.
Ata dyshohet se kanë tentuar ta marrin me forcë, duke e goditur me sende të forta dhe duke dëmtuar automjetin e tij. Në këto rrethana ka ndërhyrë punonjësi i policisë, i cili ka tentuar të neutralizojë përshkallëzimin e konfliktit dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera policore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.