Ish-kreu i SHISH: Shërbimet iraniane kanë qenë aktive në Shqipëri prej vitesh
Visho Ajazi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, dha mendimin e tij mbi faktin nëse ka apo jo grupe armiqësore të përshira në protestat qytetare që janë në ditën e 24 tashmë.
“Protestën e kam parë si të gjithë qytetarët e tjerë, në kuptimin që është e drejtë e civile, e drejtë e ratifikuar në Kushtetutë që të dalësh të protestosh për atë që nuk je dakord. Është një lloj emancipimi që gjithkush e ka mirëpritur. Përsa i përket infiltrimit të grupeve të huaja, është pak e vështirë për t’u prononcuar për arsye se, së pari, është shumë e vështirë për t’u identifikuar këto gjëra. Së dyti, është puna e shërbimeve të cilët punojnë me “background”-in e gjithë këtyre aktiviteteve”, tha ish-kreu i SHISH-it në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Lidhur me ndërhyrjen iraniane për shembull, në këtë aktivitet unë mund të them nga eksperienca personale se gjatë kohës që unë kam qenë në detyrën e drejtorit të shërbimit ka pasur aktivitete të shërbimeve iraniane. Unë në atë kohë kam pritur disa herë me kërkesën e tij ish-ambasadorin e Iranit, i cili pretendonte se muxhahedinët kishin plot kamikazë të cilët ishin gati të vinin të hidhnin në erë Ambasadën e Iranit. Që shërbimet iraniane kanë qenë aktive në Shqipëri kjo nuk është e re. Kjo ka qenë prej kohësh dhe pjesërisht lidhet edhe me faktin që muxhahidinët janë të vendosur në Shqipëri. Ata janë kundërshtarët më të ashpër të regjimit të Iranit. Ju e dini mirë që ka pasur një sulm të madh kibernetik ndaj Shqipërisë. Atëherë u tha që pikërisht nga kampi i muxhahedinëve ishin bërë sulmet kibernetike. Nëqoftëse funksionarët e lartë shtetërorë i kanë deklaruar këto gjëra, puna e parë duhet të jetë deklarimi tek shërbimet e inteligjencës dhe kundërinteligjencës në këtë rast, por edhe nga shërbimet e tjera të sigurisë. Kështu që, jam i sigurt që ato duhet të kenë marrë informacion sepse përndryshe mbeten thjesht thashetheme dhe thashethemet nuk i shërbejnë askujt”, shtoi Visho Ajazi.