Ish-zyrtari amerikan: Specialja nuk duhej të themelohej, kishte cak vetëm liderët e UÇK-së dhe nuk i shqyrtoi si duhet provat
Ish-zyrtari amerikan, Jason Steinbaum, ka deklaruar se Kosova nuk do të duhej ta kishte themeluar Gjykatën Speciale, duke vlerësuar se rastet e pretenduara për krime lufte mund të trajtoheshin nga vetë sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Duke komentuar për Euronews Albania dënimin me gjithsej 81 vjet burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Steinbaum ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si Dhomat e Specializuara kanë trajtuar provat gjatë procesit gjyqësor.
Sipas tij, krijimi i një gjykate jashtë sistemit të rregullt të drejtësisë në Kosovë ka dërguar mesazh se nuk kishte besim të mjaftueshëm në institucionet vendore.
“Mund ta kishim bërë. Kjo gjykatë nuk duhej ngritur. Mund të ishte bërë, mund të ishte trajtuar nga sistemi gjyqësor i Kosovës, dhe ne duhet t’i tregonim Kosovës se kishim besim te sistemi i saj i drejtësisë, se kishim besim te institucionet e saj në mënyrë që ta bënte ajo procesin”, ka deklaruar Steinbaum.
Ai ka thënë se, që nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte krijuar përshtypja se fokusi i saj do të ishte kryesisht te ish-drejtuesit e UÇK-së.
“Kur gjykata u ngrit, u kuptua se ajo do të shkonte vetëm në drejtim të liderëve të UÇK-së dhe gjykata mund të kishte përndjekur edhe serbët që kryen pjesën dërmuese të krimeve gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Steinbaum, fakti që kjo nuk ka ndodhur ka krijuar perceptimin se qëllimi i Gjykatës ishte ndjekja dhe dënimi i ish-krerëve të UÇK-së.
“Duke mos e bërë këtë, njerëzit arrijnë në përfundimin se gjykata kishte një qëllim për të dënuar ish-krerët e UÇK-së dhe jo ata që kryen krimet gjatë luftës”, ka shtuar ai.
Ish-zyrtari amerikan është shprehur kritik edhe ndaj vlerësimit të provave nga trupi gjykues, duke thënë se shpreson që këto çështje të shqyrtohen në procedurën e Apelit.
“Ky mund të ketë qenë një problem real për këtë çështje. Shpresoj që në apel kjo do të jetë një çështje që mbrojtja duhet ta ngrejë. Gjykata nuk i ka shqyrtuar si duhet provat dhe shpresoj që gjyqtarët në apel të thonë se ky ishte një gabim dhe që të ketë gjasa që dënimi të kthehet”, ka deklaruar Steinbaum.
Ai ka shtuar se procedura në shkallën e dytë mund të sjellë zhvillime të reja, duke theksuar se Apeli do të ketë mundësi të shqyrtojë pretendimet e mbrojtjes lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë.