Wednesday, 5 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaITALI – E hodhi biletën fituese në kosh, punonjësit e pastrimit i kthejnë 1 milion euro

ITALI – E hodhi biletën fituese në kosh, punonjësit e pastrimit i kthejnë 1 milion euro

ROMË, 4 gusht /ATSH-ANSA/- Punonjësit e shërbimit të pastrimit në Itali, arritën të gjenin një biletë lotarie me vlerë 1 milion euro, pas një kërkimi disaorësh nëpër qeset e mbeturinave, duke ia kthyer atë pronarës së saj, e cila e kishte hedhur gabimisht pasi mendoi se nuk kishte fituar.

Gruaja nga qyteti juglindor i Bitontos, e kishte lënë biletën në pikën e shitjes së lotarisë, pasi në të ishte shënuar “nuk paguhet”.

Megjithatë, arsyeja nuk ishte se bileta nuk kishte fituar, por pikërisht e kundërta, çmimi prej 1 milion eurosh ishte një shumë tepër e lartë për t’u paguar në pikën e shitjes.

Roberto Nicola Toscano, drejtues i kompanisë së menaxhimit të mbeturinave, SANB, tha se familja e kuptoi vlerën e vërtetë të biletës vetëm pasi ishte kthyer në shtëpi.

Por deri atëherë, bileta kishte përfunduar në koshin e plehrave.

Punonjësit e SANB, nisën kërkimet në një impiant për seleksionimin e mbeturinave, duke kontrolluar brenda një kamioni plehrash.

Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 05:30 të mëngjesit, një prej punonjësve gjeti biletën ende të paprekur, brenda një qeseje të grisur, mes shumë biletave të tjera të dëmtuara. /

 

Lini një koment