“Jam nga Vlora”/ Prapaskenat me legjendën e Kombëtares! Oferta e presidentit grek dhe përplasja e Kushtës me trajnerin e Van Basten: Si e përzura
Në një kohë kur në Kombëtare diskutohet mundësia që italiani Elia Kaprile të veshë fanellën e Shqipërisë, Sokol Kushta kujton një histori nga karriera e tij. Një ndër legjendat e futbollit shqiptar tregoi se si refuzoi gjigantët e Olimpiakosit, pasi kushti për transferimin ishte që të regjistrohej si lojtar grek.
Ish-sulmuesi i Kombëtares tregoi në “Mega Sport” se çfarë ndodhi në takimin me ish-presidentin Argyris Saliarelis, teksa kërkohej nga trajneri Oleg Blokhin tek Olimpiakos. Histori e padëgjuar në Shqipëri është më pas se çfarë bëri Kushta me ish-trajnerin holandez të Iraklis, aty ku u transferua në Greqi. Thijs Libregts u tregua racist dhe për këtë pati pasoja. Holandezi tek Iraklis, bënte me Kushtën njësoj si me Van Basten kur drejtoi Holandën. Pikërisht Van Basten bënte që Libregts më pas të shkarkohej nga “tulipanët”.
“A e di çfarë më thonin në Greqi mua, kur nuk mora pasaportën? Lejoheshin vetëm tre të huaj. Dhe donin si homogjen. Blokhin ishte trajner. I kishin tre rus si lojtarë të huaj. Më tha një shprehje të madhe dikush: ‘Çfarëdo pasaporte të marrësh, ti alvanos do jesh’.
Në momentin që jam ulur me Saliarelisin për Olimpiakos. Kam qenë me Bellajn se unë nuk dija greqisht. Ishte president Saliarelis nga viti 1988 deri në vitin 1992. Miliarder që i mori Protasovin Juventusit. Protasovi ishte në finale me Bashkimin Sovjetik. U ulëm në hotel dhe më pyet nga jam. ‘Jam nga Vlora’, i thashë. Ma ktheu: ‘Ou, homogjen’. Dhe unë i thashë: ‘Jo, jam shqiptar’. Pastaj u përgjigj: ‘Punë e madhe, unë të dua për futbollist dhe jo për politikan’. Unë ashtu e ndjeva, nuk luaja si grek. Ai më tha se arsyeja është se kishin tre të huaj dhe nuk lejohet, ndërsa trajneri i kishte lënë porosi. Ne kishim folur pasi Flamurtari luajti me Olimpiakosin. Kam qenë në një zyrë me sekretarin e ambasadës që ka qenë atëherë, Irakli Koçollari që e kam edhe mik, bashkë me Saliarelis. Ishte bërë muhabeti, jo që ishte tym. I kishim të gjitha gjërat gati. Thjesht rregullorja ishte tre lojtarë të huaj, ndërsa unë isha i katërti. Më bëri edhe një ofertë tjetër pasi Lytovçenko iku në dhjetor. Nuk më pëlqeu, doja qetësinë. Iraklisi ishte një ekip i mirë dhe paguante shumë. Theodoridis ishte një president, si puna e Teutës. Në vend të katërt, të pestë”.
“Në vitin e dytë ishte një trajner holandez që ishte racist. Ai kishte qenë trajner i Van Basten. Ai bënte sherr me të gjithë lojtarët e mëdhenj. Ai ishte që hoqi Van Basten nga formacioni në vitin 1988. Mua më hoqi për punë kapriço, punë karakteri. Ishte racist. Janë muhabete shumë të gjata. Ai tha një shprehje: ‘Këtu nuk je Kombëtarja shqiptare që je si Van Basten. Këtu është Iraklis’. Muhabete cinike. E përzura pak me vrap.(qesh) Në nxehje. Çunat e ekipit më ndiqnin mua.(qesh) Sportisti mbi të gjitha, plus sportin, duhet të ketë dinjitetin dhe karakterin. Si qëndron në fushë. Sidomos jashtë vendit”.
Kushta është i vetmi përfaqësues i Shqipërisë në historinë e çmimit për Topin e Artë. Mori 1 pikë vitin 1987, pasi kishte luajtur me Partizanin dhe ishte rikthyer te Flamurtari. Asokohe ishte në listën me 34 lojtarë. Me 1 pikë qëndronin edhe Alesandro Altobeli, Glen Hodle, Dimitris Saravakos dhe Rudi Voler.