‘Jam polic’, zbardhet plagosja me thikë në Maliq, 30-vjeçari sulmoi i pari 42-vjeçarin në një lokal dhe shpallet në kërkim
Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e plagosjes me thikë të 30-vjeçarit Anxhelo Brisku në Maliq, siç njofton Shqiptarja.com, duke zbuluar se konflikti rezultoi ndryshe nga sa kishte deklaruar fillimisht i plagosuri.
Sipas verifikimeve të policisë, konflikti nisi brenda një lokali në Maliq, ku Brisku iu afrua 42-vjeçarit me thikë në dorë, duke thënë “jam polic”, e goditi me grusht dhe disa herë me karrige dhe sende të forta.
42-vjeçari reagoi duke e plagosur me thikë Briskun. Fillimisht ai u identifikua si autor i ngjarjes dhe u shoqërua në Komisariatin e Policisë Maliq, por verifikimet e mëtejshme dhe pamjet filmike treguan se konfliktin e kishte nisur vetë i plagosuri.
Pas zbardhjes së rrethanave, 42-vjeçari u procedua në gjendje të lirë, ndërsa Brisku u shpall në kërkim për veprat penale “Kanosje”, “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Brisku ndodhet në spital, ndërsa gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar.