E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›JEMEN – Dhjetëra viktima nga sulmet ajrore në Sana’a

JEMEN – Dhjetëra viktima nga sulmet ajrore në Sana’a

SANA’A, 7 nëntor /ATSH-DPA/ – Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në kryeqytetin e Jemenit, Sana’a, shkaktuan sot disa viktima civile, sipas medieve të lidhura me rebelët Houthi.

Televizioni al-Masirah raportoi se të paktën 22 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë pasi avionët sauditë goditën banesa në distriktin Bani Hushaysh, që ndodhet nën kontrollin e Houthëve.

Sipas të njëjtit burim, 30 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Agjencia e lajmeve Saba, e kontrolluar nga Houthit, raportoi gjithashtu për sulme të tjera saudite ndaj banesave dhe ekipeve të ndihmës së shpejtë në të njëjtën zonë, pa dhënë një bilanc të mundshëm të viktimave.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite nuk ka komentuar raportimet.

Konflikti në Jemen, që vijon prej më shumë se një dekade, është intensifikuar së fundmi në kuadër të luftës më të gjerë që përfshin Shtetet e Bashkuara dhe Iranin.

Arabia Saudite mbështet qeverinë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa forcat qeveritare, të ndihmuara nga rezistenca popullore aleate, raportuan se kishin zmbrapsur një sulm të rebelëve Houthi në frontin al-Aqroud, në provincën e kontestuar të Taizit, në jugperëndim të vendit.

Përleshjet në këtë zonë zgjatën disa orë dhe shkaktuan humbje të mëdha në radhët e rebelëve, sipas mediave proqeveritare.

Nga ana tjetër, Houthit nuk kanë dhënë një reagim lidhur me këto raportime.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi sot se kishte interceptuar një raketë kruz të lëshuar nga Hoouthit në drejtim të kryeqytetit saudit, Riad.

Ndërkohë, muajt e fundit rebelët kanë shtuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke shënjestruar ndër të tjera aeroportet dhe objektet e naftës në këtë vend. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment