E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Trump: Përparime të rëndësishme për një marrëveshjeje paqeje ruso-ukrainase

SHBA – Trump: Përparime të rëndësishme për një marrëveshjeje paqeje ruso-ukrainase

UASHINGTON, 7 nëntor /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se po bëhen përparime të rëndësishme në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Po bëjmë shumë përparime me Rusinë dhe Ukrainën”, u shpreh Trump, duke bërë të ditur se ka zhvilluar telefonata dhe se ka planifikuar takime të tjera për këtë çështje të hënën dhe të martën.

Ai theksoi se, për herë të parë, të dyja palët janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje, e cila sipas tij do të jetë e rëndësishme dhe do të përfshijë edhe Evropën.

Në një intervistë për emisionin “60 Minutes”, nga e cila janë publikuar disa fragmente, Trump foli edhe për ndryshime të mundshme në administratën e tij pas zgjedhjeve të mesmandatit.

“E pëlqej ekipin tim qeverisës. Mendoj se janë të zotë, por ndoshta do të bëj disa ndryshime”, deklaroi presidenti amerikan.

I pyetur nëse ka besim te sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, Trump u përgjigj pozitivisht, duke lënë të kuptohet se pozicioni i tij nuk është aktualisht në rrezik.

Ndërkohë, sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, administrata amerikane është e ndarë lidhur me politikën ndaj Iranit.

Zëvendëspresidenti JD Vance po kërkon përfundimin e konfliktit, ndërsa sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe komandanti i Komandës Qendrore Amerikane, Brad Cooper, mbështesin rifillimin e luftimeve.

Sekretarët Marco Rubio dhe Scott Bessent favorizojnë një ashpërsim të sanksioneve dhe vazhdimin e bllokadës, ndërsa i dërguari amerikan Steve Witkoff mbështet qëndrimin e Vance.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkon rifillimin e luftimeve.

Sipas burimeve të cituara nga gazeta amerikane, përplasjet brenda administratës janë intensifikuar pas zgjedhjeve të mesmandatit./ a.jor.

Lini një koment