E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaPolitikaJohn Goci shpjegon kandidaturën e tij  për Kongres: Nga emigrant në sipërmarrës, drejt politikës federale

John Goci shpjegon kandidaturën e tij  për Kongres: Nga emigrant në sipërmarrës, drejt politikës federale

John Goci ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për në Kongresin Amerikan, duke e ndërtuar fushatën mbi një histori personale që përfshin emigrimin, sipërmarrjen dhe angazhimin publik.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Goci thekson se vendimi për të kandiduar vjen nga bindja se “Uashingtoni ka humbur kontaktin me njerëzit që duhet të përfaqësojë”. Ai shprehet se synon të vendosë “njerëzit mbi politikën”, të mbrojë liritë kushtetuese – veçanërisht lirinë e shprehjes – dhe të reduktojë ndikimin e interesave të veçanta në vendimmarrje.

Goci ka një histori tipike të ëndrrës amerikane. Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 9-vjeçare nga Juniku i Kosovës dhe u vendos me familjen në Westland, Michigan. Ai kujton fillimet e vështira, ku familja jetonte në kushte të ngjeshura dhe punonte orë të gjata për të mbijetuar.

Më vonë, pasi u bë qytetar amerikan, ai ndryshoi emrin nga Naser në John dhe mbiemrin nga Gocaj në Goci, si një mënyrë për të përqafuar identitetin e ri amerikan.

Angazhimi i tij publik filloi herët. Ai shërbeu në bordin shkollor të Wayne-Westland, ku u zgjodh edhe nënkryetar, duke u bërë një nga të parët shqiptarë të lindur në Kosovë ose Shqipëri që mbajti një post të tillë në SHBA.

Paralelisht, Goci ka ndërtuar një karrierë të gjatë në biznes. Ai ka themeluar dhe drejtuar kompani në fusha të ndryshme, duke përfshirë teknologjinë, pasuritë e paluajtshme dhe industrinë ushqimore. Ai përmend edhe përfshirjen në teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale në shëndetësi dhe zhvillimet në blockchain.

Në postimin e tij, ai ndalet edhe tek një moment i rëndësishëm në jetën e tij politike: një përballje ligjore me autoritetet në Michigan, të cilën ai e konsideron një betejë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes për pronarët e bizneseve.

Goci thekson gjithashtu lidhjen e fortë me komunitetin, duke përmendur aktivitetet në organizata lokale, trajnimet sportive për të rinjtë dhe angazhimin në iniciativa bamirësie.

Në fund të deklaratës së tij, ai përmbledh kandidaturën si një vazhdim i rrugëtimit personal: nga një fëmijë emigrant që nuk fliste anglisht, në një sipërmarrës dhe zyrtar publik, dhe tani si një kandidat që synon të përfaqësojë qytetarët në nivel federal.

“Kam jetuar vështirësitë, kam ndërtuar biznese, kam shërbyer komunitetin dhe kam qëndruar kur të tjerët nuk guxuan. Tani jam gati të luftoj për ju”, përfundon ai mesazhin e tij.

Lini një koment