Kampi “Enver Zymeri” do të rinovohet, policia hap tender në vlerë rreth 16 mijë euro
Policia e Kosovës ka hapur një tender të ri për në kuadër të procedurave të prokurimit publik, për rinovimin e kampit “Enver Zymeri”.
Sipas dokumentit zyrtar afati për dorëzimin e ofertave është i hapur deri më 2 korrik 2026 ora 14:00.
Autoriteti kontraktues ka bërë të ditur se procedura synon furnizimin e nevojshëm për funksionimin e rregullt të institucionit, në përputhje me standardet dhe kërkesat ligjore të prokurimit publik.
Sipas dokumentacionit të publikuar, kontrata është e kategorisë së furnizimit dhe ka për qëllim sigurimin e materialeve të nevojshme për realizimin e punimeve renovuese në këtë qendër.
Vlera e parashikuar e kontratës është 15 mijë e 927.50 euro, ndërsa projekti synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe funksionale të objektit.
Dokumentet e tenderit tregojnë se kontrata nuk është e ndarë në pjesë, duke nënkuptuar se furnizimi do të realizohet si një tërësi.
Operatorët ekonomikë të interesuar duhet të përmbushin një sërë kriteresh ligjore dhe profesionale, përfshirë dëshmitë nga Administrata Tatimore, Gjykata Themelore dhe dokumentacionin përkatës që vërteton regjistrimin e biznesit dhe statusin e TVSH-së.
Po ashtu, operatori ekonomik që shpallet fitues do të jetë i obliguar të ofrojë siguri të ekzekutimit në vlerë prej 10 për qind të shumës së kontratës, në përputhje me kushtet e përcaktuara në dosjen e tenderit.
Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar që të shqyrtojnë dokumentacionin e tenderit dhe të paraqesin ofertat e tyre brenda afateve të parapara, në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik.
Renovimi i këtij kampi ka ardhur pas raportimit në media për gjendje të rëndë të tij. Në disa media janë publikuar fotografi ku shihen dyer e dritare të thyera dhe pjesë të tjera të objektit tejet të dëmtuara, e ku zyrtarët policorë të Njësisë Speciale qëndrojnë gjatë punës së tyre. /Telegrafi/