Friday, 25 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›KFOR-i kontrollon ura dhe rrugë në Deçan, synohet liria e lëvizjes dhe siguria e itinerareve

KFOR-i kontrollon ura dhe rrugë në Deçan, synohet liria e lëvizjes dhe siguria e itinerareve

Inxhinierë të KFOR-it, pjesë e kontingjentit italian, zhvilluan të enjten një kontroll të hollësishëm të rrugëve dhe urave në zonën e Deçanit, duke vlerësuar gjendjen e infrastrukturës dhe kushtet e lëvizjes. Sipas njoftimit të KFOR-it, pjesëtarët e Komandës Rajonale Perëndim (Regional Command West) realizuan një seri vëzhgimesh teknike për të identifikuar çdo kufizim të mundshëm për qarkullim.

Gjatë aktivitetit, ekipet e inxhinierisë inspektuan strukturën e urave dhe rrjetin rrugor në zonën e tyre të përgjegjësisë, me synim garantimin e sigurisë së itinerareve dhe vlerësimin proaktiv të çdo rreziku që mund të ndikojë në lëvizshmërinë e trupave.

Në deklaratën e KFOR-it theksohet: “Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-i ndjek zhvillimet në terren dhe dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për lirinë e lëvizjes dhe për një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës”.

Misioni i udhëhequr nga NATO vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Burimi: KosovaPress

Lini një koment