Kina lëshon Shenzhou 24 me astronautin e parë të huaj në stacionin e saj hapësinor, një pakistanez
Kina lëshoi të mërkurën anijen Shenzhou 24 me tre astronautë — dy kinezë dhe një pakistanez — duke dërguar anëtarin e parë të huaj të ekuipazhit në stacionin e saj hapësinor, njofton Associated Press.
Astronauti pakistanez Muhammad Zeeshan Ali, 40 vjeç, fluturon përkrah kinezëve Tang Hongbo, 51, dhe Wu Yi, 39, pas ngritjes nga Qendra e Lëshimit Satelitor Jiuquan në veriperëndim të Kinës. Anija u nda me sukses nga raketa dhe hyri në orbitën e paracaktuar.
Fluturimi është i pari i përbashkët me astronautë kinezë dhe të huaj në historinë e programit hapësinor të pilotuar të Kinës dhe vjen në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar nga Kina dhe Pakistani në shkurt të vitit 2025.
Në Pakistan, lëshimi u prit me festime: turma njerëzish ndoqën transmetimin televiziv, ndërsa ministri i Planifikimit Ahsan Iqbal tha se Ali mbartte flamurin pakistanez mbi supe dhe shprehu shpresën se kjo do të jetë fillimi i një bashkëpunimi më të madh. “Qielli nuk është më kufiri ynë, është platforma jonë e nisjes”, tha ai.
Ekuipazhi do të kryejë më shumë se 90 eksperimente shkencore dhe teste teknologjike. Ali do të kryejë një eksperiment me cianobaktere fotosintetike dhe do të kthehet në Tokë me anijen Shenzhou 23, ndërsa Tang, veteran i dy misioneve, do të bëhet astronauti i parë që hyn tri herë në stacionin Tiangong. Kina po përgatitet për zbarkimin e parë të pilotuar në Hënë deri në vitin 2030, ndërsa NASA synon vitin 2028.