E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KINË – Xi: LM nuk duhet të kthehet në arenë rivaliteti mes fuqive të mëdha

KINË – Xi: LM nuk duhet të kthehet në arenë rivaliteti mes fuqive të mëdha

– Presidenti kinez, Xi Jinping deklaroi sot se Lindja e Mesme dhe rajoni i Gjirit nuk duhet të shndërrohen në një arenë rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe konfliktesh gjeopolitike, sipas Reuters.

Gjatë takimit në Pekin me sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq al-Said, Xi theksoi se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet arabe për arritjen e paqes së qëndrueshme.

Sipas tij, stabiliteti në rajon kërkon përpjekje të përbashkëta dhe mbështetjen e të gjitha palëve.

Kina ka shtuar përpjekjet diplomatike për të ndihmuar në uljen e tensioneve lidhur me luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të transportit detar në Ngushticën e Hormuzit dhe rritje të kostove globale të energjisë.

Xi deklaroi se Pekini është i angazhuar për ndalimin e konfliktit dhe synon të kontribuojë me zgjidhje për sfidat e sigurisë në rajon.

Në një deklaratë të përbashkët prej 20 pikash, Kina dhe Omani kërkuan rikthimin e lundrimit normal dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Të dyja palët i bënë thirrje Uashingtonit dhe Teheranit të zgjedhin rrugën diplomatike, të rikthehen te marrëveshja e arritur në qershor për përfundimin e konfliktit dhe të rifillojnë dialogun.

Ndërkohë, Pekini njoftoi se i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Zhai Jun, do të vizitojë gjatë këtij muaji Iranin, Omanin dhe Arabinë Saudite.

Vizita e sulltanit Haitham në Pekin është e para e një kreu shteti të Omanit në Kinë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1978. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment