Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaKlitschko: “Hayden ishte një pjesë e rëndësishme e jetës sime”

Klitschko: “Hayden ishte një pjesë e rëndësishme e jetës sime”

TIRANE, 18 gusht, ATSH/ Ish-kampioni botëror i boksit, Wladimir Klitschko, ka reaguar me një mesazh prekës pas vdekjes së ish-partneres së tij, aktorja Hayden Panettiere, në moshën 36-vjeçare. Panettiere u nda nga jeta më 16 gusht në Karolinën e Jugut.

“Familja jonë po kalon një periudhë tronditjeje dhe dhimbjeje të thellë”, shkroi Klitschko në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Ai tha se lajmi për vdekjen tragjike të Panettiere-s e ka prekur thellë dhe se ajo “u largua nga kjo botë shumë shpejt”. Edhe pse ata nuk ishin më partnerë, Klitschko e cilësoi aktoren si një person të rëndësishëm në jetën e tij dhe mbi të gjitha si nënën e vajzës së tyre, Kaya.

Klitschko vlerësoi talentin e saj dhe karrierën që ajo ndërtoi, duke theksuar se Panettiere u përball edhe me anët më të errëta të një industrie shumë kërkuese. Ai nënvizoi se asgjë nuk mund t’i fshijë kujtimet e viteve që ndanë së bashku apo vendin që ajo zinte në jetën e tyre.

Duke iu drejtuar vajzës së tyre, Kaya, 11 vjeçe, Klitschko premtoi se do të flasë gjithmonë me respekt për të ëmën dhe do të kujdeset që ajo të kujtojë personin që ishte Panettiere.

“U shpreh ngushëllimet e mia më të thella prindërve të Hayden, miqve të saj dhe fansave, të cilët po përjetojnë gjithashtu dhimbje të madhe”, shkroi ai, duke shtuar se njerëz kaq të rinj dhe të talentuar nuk duhet të largohen kaq shpejt nga kjo botë.

Në fund, ish-boksieri kërkoi respekt për ndjenjat dhe privatësinë e familjes gjatë kësaj periudhe të vështirë, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre.

“Pusho e qetë, Hayden. U prehsh në paqen e përjetshme”, përfundoi Klitschko.

Lini një koment