Kolateral edhe në fazë ndërtimi, të dëmtuarit nga tërmeti përfitojnë nga strehimi social
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm mbylli diskutimet për ligjin e strehimit social dhe të përballueshëm, duke e kaluar në seancë plenare.
Me propozim të Taulant Ballës, pjesë e skemës shtohen edhe të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019.Ndërkohë, Qeveria do të lejojë me ligj që edhe objektet në fazë të ndërtimi të mund të përdoren si kolateral bankar.
Nga fondi për strehimin e përballueshëm do të përfitojnë edhe ata familjet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, që ende nuk janë trajtuar nga shteti.
Risia erdhi si amendament i kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në ligjin për strehimin social, që gjeti dakord edhe Qeverinë.
Bonusi i qerasë dhe lehtësitë në kreditim për blerjet e banesave, shihen me shqetësim nga deputetët e qyteteve të vogla, që i druhen shpopullimit në favor të Tiranës.
Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, njoftoi një tjetër risi ligjore, që do të lejojë përdorimin si kolateral bankar edhe të objekteve në fazë ndërtimi.
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, përgjegjës për këtë p/ligj, miratoi draftin me të gjitha amendamentet e propozuara nga deputetët e PS dhe e kaloi për votim në seancë plenare.