E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Komisioni për të Drejtat e Njeriut miraton krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, rrëzohen nismat e opozitës!

Komisioni për të Drejtat e Njeriut miraton krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, rrëzohen nismat e opozitës!

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, i mbledhur nën drejtimin e zëvendëskryetares Iris Luarasi, miratoi sot projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, ndërsa rrëzoi me shumicë votash dy nisma ligjore të paraqitura nga deputetë të opozitës lidhur me profesionin e avokatit dhe sigurimet shoqërore.

Miratohet krijimi i Fondit Kombëtar për Artin

Në rendin e ditës të mbledhjes u shqyrtua projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, një nismë e Këshillit të Ministrave.

Projektligji u prezantua para anëtarëve të komisionit nga zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, ndërsa u relatua nga deputeti Piro Dhima. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi nismën në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Rrëzohen nismat e deputetëve Tedi Blushi dhe Igli Cara

Më herët, pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 9 shtator 2026, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 55/2018, ‘Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë’”, nismë e deputetit Tedi Blushi.

Për këtë pikë të rendit të ditës, të ftuar në mbledhje ishin:

Tedi Blushi, deputet propozues i nismës;

Nadia Peto, zëvendësministre e Drejtësisë;

Greis Çomo, përfaqësuese nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit;

Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë;

Klodian Skënderaj, kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë.

Pas prezantimit dhe relatimit të çështjes nga deputeti Ramion Kurti, projektligji u hodh në votim, por komisioni me shumicë votash vendosi të mos e miratojë atë.

Po me shumicë votash u rrëzua edhe pika tjetër e rendit të ditës, e cila parashikonte votimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, një nismë e propozuar nga deputeti Igli Cara.

Lini një koment