Friday, 23 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›​Komunat dhe roli i tyre në integrimin evropian – çka u tha në takimin e katërt i Grupit Punues për Kosovën?

​Komunat dhe roli i tyre në integrimin evropian – çka u tha në takimin e katërt i Grupit Punues për Kosovën?

Është mbajtur takimi i katërt i Grupit Punues për Kosovën, në kuadër të Komitetit Evropian të Rajoneve, ku është diskutuar roli i komunave në procesin e integrimit evropian, rëndësia e qeverisjes lokale dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka theksuar se integrimi evropian nuk lidhet vetëm me institucionet qendrore, por zbatohet drejtpërdrejt në komuna, përmes shërbimeve publike dhe funksionimit të demokracisë.

“Integrimi evropian nuk ndodhet në Bruksel apo në institucionet qendrore, ai ndodh më së shumti në secilën komunë, aty ku qytetari i merr shërbimet publike, administrohen shërbimet dhe ku demokracia ushtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kosova ka 38 komuna me potencial, nevoja dhe kapacitete të ndryshme”, tha ai.

Në këtë takim, shefja e sektorit politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, Bouglaw Gertruda, ka theksuar se përparimi në procesin e integrimit evropian varet në masë të madhe nga puna e komunave. Sipas saj, qeverisja e mirë, transparenca, llogaridhënia, menaxhimi i qëndrueshëm financiar dhe prokurimi publik efektiv janë elemente të rëndësishme për ndërtimin e besimit të qytetarëve.

Ajo ka theksuar gjithashtu nevojën për bashkëpunim ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave, respektimin e kornizës ligjore dhe konsultimin me autoritetet lokale për vendimet që ndikojnë në punën e tyre.

“Integrimi evropian është një investim strategjik, ndërsa përmbushja e këtij synimi varet në masë të madhe nga komunat. Shëndeti publik, shërbimet dhe bizneset lokale janë ndër fushat që ndikohen drejtpërdrejt nga puna e tyre. Por, çfarë nënkupton konkretisht integrimi evropian për komunat? Qeverisje të mirë dhe llogaridhënie, që nënkuptojnë vendimmarrje transparente, menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe prokurim publik efektiv. Të gjithë këta elementë janë thelbësorë për ndërtimin e besimit të qytetarëve. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon gjithashtu bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe komunave, respektimin e kornizës ligjore dhe sigurimin që vendimet që ndikojnë te komunat të merren në konsultim me to”, deklaroi ajo.

Ndërsa anëtarja e Komitetit Evropian të Rajoneve, Gillian Coughlan, ka ngritur çështjen e autonomisë së pushtetit lokal, duke theksuar rëndësinë që komunat dhe përfaqësuesit e tyre të kenë hapësirë për të aplikuar drejtpërdrejt për fonde evropiane. Ajo ka vlerësuar se njohja e nevojave konkrete lokale dhe bashkëpunimi me udhëheqësit politikë janë të rëndësishme për realizimin e projekteve.

“I mirëpres kontributet dhe përkushtimin tuaj për forcimin e qeverisjes lokale, pasi po shohim në të gjithë Evropën një prirje për përqendrimin e kompetencave në nivelin qendror, ku qeveritë qendrore po fillojnë të marrin sërish kontrollin, ndoshta edhe mbi fondet evropiane. Si përfaqësues të nivelit lokal dhe rajonal, ne duam të theksojmë rëndësinë e pavarësisë së autoriteteve lokale dhe komunale, si dhe të zyrtarëve lokalë dhe komunalë që merren me çështjet evropiane. Atyre duhet t’u jepet hapësira dhe autonomia për të aplikuar vetë për këto lloj fondesh. Mendoj se rezultatet janë më të mira kur zyrtari lokal e njeh konkretisht projektin që duhet të realizohet, natyrisht, në bashkëpunim me udhëheqësit politikë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka vënë në pah rëndësinë e përshtatjes së politikave me kontekstin dhe specifikat lokale. Ai ka theksuar se shkëmbimi i ideve dhe përvojave, si dhe bashkëpunimi me institucionet e Bashkimit Evropian, janë të rëndësishme për adresimin e nevojave të qytetarëve dhe për zhvillimin e komunave.

“Duhet t’i përshtatet kontekstit lokal dhe specifikave lokale të secilit vend. Nuk ka zgjidhje të njëjta për çdo situatë, por ekzistojnë parimet e përbashkëta që mund të na udhëheqin. Besoj se ky takim është një ide e mirë për të shkëmbyer ide dhe përvoja konkrete. Si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, e konsideroj bashkëpunimin me institucionet e tjera të Bashkimit Evropian të një rëndësie të veçantë, në adresimin e nevojave të qytetarëve dhe në krijimin e shembujve më pozitivë dhe afirmativë për Kosovën, por edhe për këtë pjesë të Evropës”, tha Peci.

E kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ngritur shqetësimin për, siç ka thënë, tendencat e centralizimit gjatë katër-pesë viteve të fundit dhe përpjekjet për ndryshimin e legjislacionit që, sipas tij, synojnë t’u marrin kompetencat komunave.

“Në katër-pesë vitet e fundit kemi trende negative drejt centralizimit dhe marrjes së kompetencave të komunave. Po ashtu, ka trendë për reformimin e legjislacionit që synon t’ua marrë kompetencat komunave”, tha ai.

Diskutimet në këtë takim u përqendruan në rolin e komunave në procesin e integrimit evropian, forcimin e qeverisjes lokale dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre evropiane. /KP/

Lini një koment