E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Konferenca e Kryetarëve pranon kërkesën e PD-së, më 10 dhjetor mocion me debat për Progres Raportin e KE-së në Kuvend

Konferenca e Kryetarëve pranon kërkesën e PD-së, më 10 dhjetor mocion me debat për Progres Raportin e KE-së në Kuvend

Konferenca e Kryetarëve ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat parlamentar mbi Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026. Debati në Kuvend është caktuar të zhvillohet më 10 dhjetor.

Në fokus të debatit pritet të jetë vlerësimi i Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, arritjet e shënuara, por edhe problematikat që vijojnë të pengojnë avancimin e reformave.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar historik rekomandimin e Komisionit Europian për nisjen e përgatitjeve për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2027. Megjithatë, ai ka pranuar se vendi ka ende punë për të bërë për përmbushjen e standardeve të kërkuara.

Në raportin e tij, Komisioni Europian vlerëson përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, por njëkohësisht evidenton një sërë sfidash që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme. Ndër çështjet kryesore mbeten lufta kundër korrupsionit, garantimi i pavarësisë së drejtësisë, liria e medias, funksionimi i institucioneve dhe rritja e konkurrueshmërisë ekonomike.

Një shqetësim i veçantë në raport lidhet me mungesën e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me efektivitetin e kufizuar të Kuvendit në ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj ekzekutivit.

Komisioni Europian thekson se mungesa e dialogut të mirëfilltë politik, konsultimeve publike dhe përplasjet e vazhdueshme mes shumicës qeverisëse dhe opozitës vijojnë të cenojnë funksionimin e Parlamentit.

Mocioni që do diskutohet më 10 dhjetor pritet të rikthejë në qendër të debatit parlamentar ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian, përgjegjësitë e mazhorancës dhe opozitës, si dhe reformat që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment