Konferenca për integrimin europian, Peleshi: Përfshirja e komuniteteve dhe qytetarëve, e domosdoshme për suksesin e zgjerimit të BE-së
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në fjalën e mbajtur në konferencën me përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe Parlamentit Europian, në kuadër të diskutimeve për procesin e integrimit europian dhe avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, u ndal te rëndësia e diplomacisë parlamentare, por edhe te nevoja për të rritur mbështetjen e qytetarëve të vendeve anëtare për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Peleshi theksoi se procesi i zgjerimit nuk mund të mbështetet vetëm te institucionet politike, por duhet të shoqërohet me komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetet e vendeve anëtare.
“Zgjerimi duhet të fitohet në bisedat e familjeve rreth tryezës në çdo qytet të BE-së. Duhet të vijojmë me këmbëngulje diplomacinë parlamentare dhe aktivitetet e përbashkëta, sidomos me angazhimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Ndërtimi i urave me qytetarët dhe përfshirja e komuniteteve janë kusht i domosdoshëm për suksesin e këtij projekti. Ratifikimi i aderimit në BE do të varet drejtpërdrejt nga mbështetja e publikut në vendet anëtare”, deklaroi Peleshi.
Kryeparlamentari e cilësoi konferencën si pjesë të një periudhe të ngjeshur aktivitetesh europiane në Kuvend, duke renditur disa prej nismave të zhvilluara gjatë javëve të fundit.
“Kjo konferencë po realizon një muaj të vrullshëm europian në Kuvend. Gjatë javës së fundit hapëm dyert për qytetarët në Forumin në PE, konsoliduam rolin parlamentar në mbledhjen e 22-të të Komitetit të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit, thelluam dialogun me ambasadorët e tetë vendeve, miqtë e Ballkanit Perëndimor, etj.”, u shpreh ai.
Peleshi tha se Shqipëria ka marrë mbështetje inkurajuese gjatë këtij procesi, por nënvizoi se mbetet e nevojshme puna e përbashkët për të rritur mbështetjen e qytetarëve në vendet anëtare për zgjerimin e BE-së.
“Kemi marrë mbështetje inkurajuese. Zgjerimi i BE-së ka fituar mbështetje të gjerë në shtetet anëtare. Do na duhet të punojmë akoma më shumë së bashku për të rritur mbështetjen e publikut për zgjerimin në të gjitha vendet anëtare”, deklaroi Kryetari i Kuvendit.
Në vijim, Peleshi ritheksoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe të përfshirjes së qytetarëve në procesin e integrimit, duke argumentuar se mbështetja publike në vendet anëtare do të jetë një element i rëndësishëm në fazat e mëtejshme të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, komunikimi me qytetarët dhe ndërtimi i urave mes komuniteteve duhet të jenë pjesë e përpjekjeve për ta bërë procesin e zgjerimit një projekt të kuptueshëm dhe të mbështetur nga publiku europian.