Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaKontestet e punës zvarriten deri në 18 vjet, zbulon raporti i FOL-it

Kontestet e punës zvarriten deri në 18 vjet, zbulon raporti i FOL-it

Trajtimi i kontesteve të punës në gjykatat e Kosovës zgjat shumë më tepër se sa e lejon ligji.

Kjo është një nga të gjeturat kryesore të raportit “Efikasiteti gjyqësor në trajtimin e kontesteve të punës në Kosovë”, të cilin e publikoi sot Lëvizja “FOL”.

Drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli Nimani, tha se në këtë raport janë analizuar 57 raste gjyqësore të evidentuara gjatë periudhës 2021-2025.

Prej tyre, 32 raste janë nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ, 13 raste nga Gjykata Komerciale – shkalla e parë, shtatë nga Gjykata e Apelit dhe pesë nga Gjykata Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë.

Sipas Demolli Nimanit, nga 57 rastet, vetëm 12 prej tyre kanë pasur vendim të shkallës së dytë, shtatë nga Gjykata e Apelit dhe pesë nga Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale.

Ajo tha se mesatarja e zgjatjes së një rasti në gjykatë është 2.164 ditë.

“Kontestet e punës zgjasin shumë më tepër se sa e lejon ligji, kjo është një nga gjetjet kryesore të këtij raporti. Domethënë mesatarja e zgjatjes për një rast në gjykatë, nga paraqitja e padisë deri në gjykimin e shkallës së parë, është mesatarisht 2.164 ditë. Ndërkaq, vendimi që shkon deri te vendimi përfundimtar gjyqësor zgjat deri në 3.061 ditë, ndërkaq rastet me zgjatjen më të madhe kanë zgjatur 6.865 ditë”, tha ajo.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Qerim Ademaj, tha se këto raste duhet të trajtohen me urgjencë. Mirëpo, sipas tij, çdo vonesë ka arsyetimin e vet, duke shtuar se gjykatat nuk kanë mundur t’i trajtojnë më shpejt këto raste, për shkak të numrit të madh të lëndëve që kanë pasur në punë gjyqtarët.

“Gjykatat sipas ligjit janë të obliguara që këto raste t’i trajtojnë me urgjencë. A trajtohen këto raste me urgjencë? Edhe unë po pajtohem me gjetjet të cilat i keni konstatuar në raportin tuaj, për shkak se kohëzgjatja prej pesë viteve e më shumë për të marrë një vendim përfundimtar është jashtë standardit, domethënë jashtë asaj që konsiderohet gjykim i arsyeshëm për këtë lloj kontestesh.

Ajo çka tash… çdo vonesë ka prapë edhe arsyetimin e vet. Në qoftë se e shihni strukturën ose atë linjë të cilën Gjykata Supreme ka punuar ndër vite, ka pasur shumë konteste që lidhen edhe me marrëdhëniet e punës. A ka pasur mundësi gjykata që t’i trajtojë në afat më të shpejtë? Unë mendoj që jo. Shpesh ka qenë edhe pa vullnetin e gjyqtarëve, për shkak të numrit të madh të lëndëve të cilat i kanë marrë në punë në momentin kur janë zgjedhur si gjyqtarë”, tha Ademaj.

Ndërsa, Vesel Zhinipotoku, drejtor i Departamentit për Cilësinë e Inspektimeve në Inspektoratin Qendror të Punës, u shpreh se ky raport i obligon ata si institucion të kenë një qasje më produktive dhe të shërbejë si model për përmirësimin e punës në të ardhmen.

“Nga gjetjet të cilat u prezantuan në raport, janë gjetje të cilat vërtet raportin e kemi pranuar paraprakisht dhe si menaxhment e kemi analizuar. E mirëpresim punën dhe përkushtimin që keni treguar, sepse monitorimi, respektivisht prezantimi i këtyre të gjeturave, neve si institucion na obligon që të kemi një qasje më produktive, ngase të gjeturat e prezantuara, në njëfarë mënyre dhe në një masë, mund të shërbejnë si model për përmirësimin në të ardhmen të punës dhe veprimtarisë që ushtrojmë”, theksoi Zhinipotoku.

Në anën tjetër, Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim e cilësoi këtë raport si shumë të rëndësishëm, duke thënë se për herë të parë paraqet një krahasim të tillë.

“Raporti është fantastik. Është pjesa ku për herë të parë ndoshta po shohim një krahasim jo vetëm të pjesës praktike të gjyqësorit, por edhe të rolit që ka pasur Inspektorati i Punës. Ka qenë me shumë rëndësi”, tha Gashi.

Të dhënat e paraqitura në raport u vlerësuan nga panelistët si shqetësuese, ndërsa u theksua nevoja për përmirësimin e efikasitetit në trajtimin e kontesteve të punës. /KP/

Lini një koment