Kosova dhe Suedia synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, siç njofton RTK.
Kusari-Lila, siç ka bërë të ditur vetë përmes një postimi në Facebook, gjatë takimit e ka falënderuar ambasadoren për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Kosovën, veçanërisht në fushën e demokratizimit dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i është kushtuar industrisë së drurit, sektor të cilin ministrja e ka vlerësuar me potencial të madh për rritjen e prodhimit dhe të eksporteve të Kosovës. Në këtë kontekst u theksua rëndësia e Konventës së 9-të të Industrisë së Drurit, e cila do të mbahet më 26 nëntor, si dhe vizita e paralajmëruar e një delegacioni të bizneseve suedeze në Kosovë.
Gjatë takimit, sipas RTK-së, është diskutuar edhe për zhvillimin e parqeve industriale dhe krijimin e kushteve më të favorshme për prodhuesit vendorë dhe për investitorët e rinj.
Ministrja ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë dhe Odën Ekonomike Nordike, do të punohet për promovimin e Kosovës si destinacion investimesh dhe për zhvillimin e veprimtarisë prodhuese të bizneseve suedeze në vend.