Kryeziu-Hyseni thumbon PDK-në: Na bënë presion të votohet Ligji për Specialen, tani thonë se duhet të kthehet mbrapsht
Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka bërë një reagim për ndryshimet e ligjit për Gjykatën Speciale, duke thënë se “fillimisht kërkuan që ligji të votohej, e tani thonë se duhet të kthehet mbrapsht”.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar deklaratat e fundit lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke rikujtuar debatet dhe tensionet që i paraprinë votimit të tij.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu-Hyseni ka pretenduar se gjatë përpjekjeve për miratimin e ligjit kishte pasur presion ndaj një deputeti të LVV-së (Fahrush Rexhepi), profesor, si dhe kërcënimet për pasoja të rënda nëse ligji nuk do të votohej.
“Imagjino, e kapën deputetin e moshuar, profesorin, e gjuajtën për të mos e lënë të dilte sipas tyre pa e votuar Ligjin. Pastaj thanë se nëse nuk do të votohej nuk do të përfundonte pa gjak kjo punë. Pastaj thanë se shumë ishin të armatosur e me bomba atë natë. Vetëm e vetëm që Ligji të votohej”.
“Dhe sot dalin në konferencë thonë shiheni se mos ka ndonjë gabim në ligj e mos po duhet me e kthy mbrapsht”, ka shkruar ajo duke nënkuptuar reagimet e PDK-së.
“Edhe sa herë duhet të përfundojnë këta njerëz në fjalët e Vetëvendosjes: Mos u ngutni. Shikojeni mirë etj.”, ka shkruar Kryeziu-Hyseni./Telegrafi/