Kur do të përfundojë hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas? Përgjigjet ministri Enea Karakaçi
I ftuar në “Tonight” me Mirela Milorin, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u pyet se kur do të përfundojë linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas dhe kur qytetarët do të mund të udhëtojnë me tren drejt Durrësit dhe aeroportit.
Ministri bëri të ditur se punimet për shinat janë në fazën përmbyllëse, me mbi 90% të tyre të përfunduara, ndërsa punimet për 8 stacionet përgjatë linjës Tiranë-Durrës kanë arritur në rreth 75%.
Karakaçi tha se Hekurudha Shqiptare ka përzgjedhur operatorin që do të kryejë punimet për elektrifikimin, ndërsa kjo kontratë ndodhet në shqyrtim përfundimtar pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila financon projektin.
“Kjo është një pyetje shumë legjitime, në fakt, dhe shqetësim shumë i drejtë për çdo qytetar që e shikon dhe çuditet se si ka mundësi që një segment i tillë nuk po përfundon për 33 kilometra. Sigurisht, projektet infrastrukturore hekurudhore janë të shtrenjta. Nëse marrim rastin Vorë-Hani i Hotit, është rreth 330 milionë euro investim. E njëjta gjë me vlera të tilla është edhe projekti Tiranë-Durrës dhe duhet të kuptojmë faktin se projekte të tilla janë të realizueshme me grantet nga Bashkimi Europian. Kur qeveria shqiptare ka aplikuar për grant dhe është miratuar një i tillë nga BE-ja, kemi pasur një projekt që nuk ishte i plotë. Në këtë mënyrë, në vitin 2016 është miratuar vetëm segmenti i shinave Tiranë-Durrës, me ndalesë në aeroport. Patjetër, për të funksionuar hekurudha duhen edhe stacionet. Stacionet u plotësuan me një projekt të mëvonshëm, ku para 3 vitesh është miratuar kontrata e financimit të tyre. Kishte nevojë sërish për plotësim. Pse? Trenat do të lëvizin me diçka, në këtë rast duhet elektrifikimi, sepse trenat do të jenë elektrikë dhe kontrata e elektrifikimit është miratuar në parlament në verën e këtij viti. Nëse ti më bën mua pyetjen më të thjeshtë se kur është funksionale hekurudha Tiranë-Durrës, do t’ju thoja që punimet për shinat janë në fazën përmbyllëse, ku janë kryer mbi 90% e punimeve. Punimet e stacioneve, që janë 8 stacione nga Tirana në Durrës, janë rreth 75% të përfunduara. Ndërkohë, tashmë Hekurudha Shqiptare ka përzgjedhur operatorin për kryerjen e elektrifikimit, që është procesi i fundit i mbetur. Kontrata është për miratim në BERZH, pasi jemi me një marrëveshje financimi të huaj dhe BERZH-i, që është banka që ka financuar projektin, po bën shqyrtimin përfundimtar të kontraktorit. Në momentin që ne do të kemi një kontratë të lidhur, bie fjala, nëse do ta lidhim sot këtë kontratë, do të duhen 12 muaj nga momenti i lidhjes së saj”, tha Karakaçi.