Kurti dhe bashkëshortja e tij marrin pjesë në darkën e Macronit në Pallatin Élysée
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad-Knudsen, ka marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée në Paris.
Darka është organizuar për liderët dhe personalitetet që po marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris.
Pjesëmarrjen në këtë pritje, Kurti e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur mirënjohjen për ftesën nga presidenti francez dhe Zonja e Parë.
“Bashkë me Ritën ishim të nderuar të marrim pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris”, ka shkruar Kurti.
Gjatë vizitës në Francë, kryeministri ka zhvilluar edhe disa takime të nivelit të lartë. Ai është takuar me presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimin ekonomik dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Kurti ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë bashkëpunimi në fushën e banimit të përballueshëm dhe social, si dhe forcimi i lidhjeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe kryeqytetit francez.
Para hapjes së Forumit të Paqes, Kurti është takuar edhe me disa personalitete franceze që kanë kontribuar në çështjen e Kosovës, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes, Alain Richard, si dhe përfaqësues nga fusha e akademisë, kulturës dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Në këto takime është diskutuar për zhvillimet demokratike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe për vendimin e 16 shtatorit të Gjykatës Speciale dhe përpjekjet për ndryshimin e tij në procedurën e apelit.
Ndërkaq, në kuadër të Forumit të Paqes, Kurti ka marrë pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, ku ka folur për demokracinë, zhvillimin ekonomik e social, arsimin dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë.
Vizita e kryeministrit në Francë nisi më 7 nëntor, ndërsa darka në Pallatin Élysée shënon pjesën përmbyllëse të qëndrimit të tij në Paris.