Kurti kërkon mbështetjen e Danimarkës për statusin kandidat të Kosovës në BE
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar mbështetjen e Danimarkës për avancimin e statusit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë një takimi lamtumirës me ambasadorin jo rezident danez, Christian Grønbech-Jensen.
Kurti ka bërë të ditur se me ambasadorin danez ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe forcimin e mëtejmë të tyre.
“Duke shprehur mirënjohje ndaj Danimarkës, kërkova mbështetje për të avancuar statusin e aplikimit të Kosovës në shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar edhe në synimin strategjik për t’u bërë pjesë e NATO-s.
“Republika jonë, përveçse e përcaktuar qartë dhe e palëkundur, është e përkushtuar në synimin strategjik për t’u bërë pjesë e NATO-s”, ka shkruar ai.
Kurti tha se e ka falënderuar ambasadorin Grønbech-Jensen për shërbimin dhe kontributin e tij, ndërsa nga ambasadori ka pranuar urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Ai po ashtu e ka uruar ambasadorin për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Grenlandën, për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut.
“Krahas drejtësisë, energjisë, arsimit e teknologjisë, biseduam për mënyrat dhe mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe për rritjen e investimeve daneze në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.