Kurti në nënshkrimin e marrëveshjes për Eko-Parqet: Deficiti tregtar mbetet sfida kryesore e ekonomisë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Banka Botërore nënshkruan të premten marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë. Në ceremoninë e nënshkrimit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë së vendit, siç njofton RTK.
“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportoi rreth një miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh”, deklaroi Kurti, sipas RTK-së.
Kurti tha se shtylla e parë e programit qeverisës i kushtohet ekonomisë qarkore dhe konkurruese, prandaj nisja e projektit të parqeve eko-industriale është në linjë të plotë me orientimin strategjik të qeverisë. Ai shtoi se bruto produkti vendor i Kosovës është rritur mesatarisht me nga rreth një miliard euro në vit gjatë viteve të fundit.
Kryeministri njoftoi se, në bashkëpunim me sektorin privat, është hartuar Plani Një Miliard Euro për Prodhim dhe Industri, i cili synon të lehtësojë financimin për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe të krijojë kushte më të mira për investime e vende pune. Zhvillimi i parqeve industriale, tha ai, do të përfshijë të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit.
Projekti është pjesë e programit rajonal për Eko-Parqet Industriale në Ballkanin Perëndimor, i cili zbatohet nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, në partneritet me Bashkimin Evropian. Sipas njoftimit të MINTI-t, projekti synon avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative për parqet industriale, duke përfshirë parimet e ekonomisë qarkore në funksionimin e tyre.