Tuesday, 30 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaKuvend/ U larguar nga grupi i PS, mazhoranca zëvendëson Marjana Koçekun nga komisionet parlamentare

Kuvend/ U larguar nga grupi i PS, mazhoranca zëvendëson Marjana Koçekun nga komisionet parlamentare

Mazhoranca ka vendosur ndryshime në përbërjen e disa komisioneve parlamentare, duke zëvendësuar deputeten Marjana Koçeku, e cila vendosi të largohej nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste pak ditë më parë, duke dalë si deputete e pavarur.

Sipas vendimeve të miratuara në Kuvend, Koçeku nuk do të jetë më anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale, Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe nuk do të jetë më zëvendësuese në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.

Në Komisionin për Reformën Administrative-Territoriale, Koçeku është zëvendësuar nga deputeti Onid Beleri si anëtar i ri. Vendimi është miratuar me 72 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshime janë bërë edhe në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, ku Marjana Koçeku është larguar nga pozicioni i sekretares dhe është zëvendësuar nga deputetja Sara Mila. Po ashtu, ajo është larguar edhe si anëtare e këtij komisioni. Vendimet janë miratuar me shumicë votash në Kuvend.

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Koçeku është zëvendësuar si anëtare zëvendësuese nga deputetja Ilva Gjuzi.

Gjatë seancës plenare u miratuan gjithashtu një sërë projektrezolutash për 8 institucione të pavarura, të cilat lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së tyre për vitin 2025 dhe detyrat në vijim.

Kuvendi miratoi edhe ndryshimin në Sekretariatin për Procedurat e Votimit dhe Etikën, ku deputeti Gjin Gjoni u caktua anëtar me 73 vota pro.

Lini një koment