Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaArte“Lakuriqi i natës” i Johann Strauss II në skenën e TKOB

“Lakuriqi i natës” i Johann Strauss II në skenën e TKOB

Die Fledermaus (“Lakuriqi i Natës”), opereta e famshme e Johann Strauss II, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit me gjithë shkëlqimin, humorin dhe elegancën e Vjenës.

Kjo opera është një histori plot keqkuptime, maska, hakmarrje dhe situata komike, e shoqëruar nga valset e paharrueshme të Strauss-it.

“Lakuriqi i natës” është një nga operetat më të njohura të tij, e cila e pati premierën më 1874, në Vjenë. Ajo është një operetë me dialogë të folur, me libret të Karl Haffner dhe Richard Genée.

Historia zhvillohet gjatë një nate plot keqkuptime, maska dhe identitete të fshehura. Gabriel von Eisenstein duhet të paraqitet në burg për të vuajtur një dënim, por para kësaj shkon në një ballo madhështore të organizuar nga Princi Orlofsky. Atje shfaqet edhe gruaja e tij, Rosalinda, e maskuar, ndërsa një sërë personazhesh ngatërrohen me njëri-tjetrin.

Vepra njihet veçanërisht për valset, ritmet e gjalla dhe humorin, duke përfshirë numra shumë të famshëm si “Mein Herr, was dächten Sie?”, “Frühlingsstimmen” dhe finalen e aktit të dytë.

Në TKOB shfaqja do të vihet në skenë për tri net radhazi: 25, 26 dhe 27 shtator. Tenori Denis Skura do të interpretojë rolin e Gabriel von Eisenstein, për tri mbrëmje radhazi.

Tenori Erlind Zeraliu do të interpretojë rolin e Frank, ndërsa Gilmond Miftari do të interpretojë rolin e Dr. Blind. Tenorët e tjerë Gerald Murrja dhe Matias Xheli do të ndajnë së bashku rolin e Alfredit. Rosalinda do të interpretohet nga sopranot Renisa Laçka dhe Nina Muho, ndërsa Rovena Xhelili do të interpretojë rolin e Adelës.

Ida do të interpretohet nga sopranot Greis Shametaj dhe Viola Bakiasi. Baritonët Solen Alla dhe Artur Vera do të interpretojnë në rolin e Dr Falke ndërsa Genc Vozga do të interpretojë rolin e Frosch, për tri net radhazi. Mezzo-sopranoja Amelda Papa do të interpretojë rolin e Prinz Orlofsky.

Lini një koment