Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia“Lale mos i jep muhabet këtij se është hasmi i Gjergjit”- Vrasja e ish-polici Arben Bilali, dëshmia e të penduarit nxje

“Lale mos i jep muhabet këtij se është hasmi i Gjergjit”- Vrasja e ish-polici Arben Bilali, dëshmia e të penduarit nxje

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria pritet të rihapë hetimet për Gjergj Cukalin, të “fortin” e rrugës “Myslym Shyri”, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali shtatë vite më parë në zonën e Selitës, nën motive të hakmarrjeje.

Detaje janë zbuluar se gjatë një seance në Gjykatën e Posaçme është rrëfyer i penduari i drejtësisë Enver Jamaku.

Mbi bazën e dëshmisë së Jamakut, Gjergj Cukali është gjetur fajtor për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Gjon Menës në Kamëz, si dhe janë dënuar edhe disa persona të tjerë për krime të rënda.

Lidhur me vrasjen e ish-policit Bilali, i penduari i drejtësisë flet, ndër të tjera, për një bisedë të zhvilluar mes tij dhe një personi të identifikuar si Ad Bomi. Ai shpjegon se shkoi tek Xubi i Yzberishtit, i referohet shtetasit Fatmir Avdillarit, për të marrë një makinë, pasi kishte rezultuar me problem shasie dhe ndërmjetës për shitjen ishte Ad Bomi, informon “News24”.

“Kur kam takuar Xubin e Yzberishtit, Adi më ka thënë: ‘Mos i jep muhabet këtij lale, se ky është hasmi i Gjergj Cukalit, pasi Gjergji i ka vrarë shokun e tij Arben Bilali dhe vëllain e tij’”, rrëfen Jamaku.

I penduari i drejtësisë pretendon se këtë bisedë e ka bërë edhe më vonë me Ad Bomin dhe i ka konfirmuar të njëjtën gjë. Lidhur me këtë ngjarje, i penduari i drejtësisë nuk jep detaje të mëtejshme në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Posaçme, por me rihapjen e dosjes ndoshta hetuesit do ta pyesin të penduarin për të rrëfyer versionin e tij për këtë ngjarje dhe mënyrën se si i ka siguruar informacionet.

Disa kohë më parë, Gjykata e Apelit vendosi të prishë vendimin e shkallës së parë, që pati pushuar hetimet për Gjergj Cukalin dhe të urdhërojë Prokurorinë ta hetojë të fortin e “Myslim Shyrit” për akuzat e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje.

Në 2020, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen ndaj Cukalit, për mungesë provash, pasi ADN-ja e gjetur në një shishe plastike që u zbulua në makinën e përdorur në vrasje u konsiderua provë e pavlefshme.

Arben Bilali, ish-punonjës policie, u ekzekutua në zonën e Selitës në 2019, ndërsa më herët i ishin vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar Bilali në vitin 1998, ndërsa Leonardi, ish-mundës i Dinamos, në gusht të vitit 2010.

Lini një koment