Liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel, në fokus integrimi evropian dhe reformat
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot, më 25 nëntor, në Bruksel, në kuadër të samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jenë procesi i integrimit evropian, reformat dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Sipas Këshillit Evropian, samiti synon të riafirmojë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, si dhe angazhimin e BE-së për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.
Bashkimin Evropian në këtë takim do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Costa ka theksuar se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet për Bashkimin Evropian, duke e cilësuar zgjerimin si një investim të rëndësishëm gjeopolitik, veçanërisht në një periudhë të karakterizuar nga sfida dhe pasiguri ndërkombëtare.
Gjatë takimit, liderët pritet të diskutojnë reformat e nevojshme për avancimin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit, si dhe integrimin gradual të tyre në strukturat, politikat dhe tregun e përbashkët të BE-së.
Një ndër temat kryesore të diskutimit do të jetë edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me fokus te zbatimi i tij, përmbushja e reformave dhe mundësitë për të përshpejtuar afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Në agjendën e samitit pritet të përfshihen gjithashtu çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe sfidat e përbashkëta, në një kontekst të zhvillimeve gjithnjë e më komplekse gjeopolitike.
Takimi zhvillohet në kuadër të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024–2029.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.