Llapi bindshëm ndaj Vushtrrisë, Batatina merr fitoren e parë në kampionat
Më në fund erdhi edhe fitorja e parë për Llapin në këtë edicion të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka marrë tri pikët e para të sezonit, duke e mposhtur Vushtrrinë me rezultat të thellë 4:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Llapjanët e zhbllokuan takimin në minutën e 17-të, kur Arbnor Ramadani shënoi për 1:0.
Epërsia u dyfishua në minutën e 36-të. Fiton Ademi realizoi për 2:0 dhe Llapi shkoi në pushim me avantazh të rehatshëm.
Skuadra e Batatinës vazhdoi të dominojë edhe në pjesën e dytë, ndërsa në minutën e 60-të erdhi edhe goli i tretë.
Arianit Hasani e dërgoi topin në rrjetë për 3:0, duke i dhënë edhe më shumë qetësi skuadrës llapjane.
Rezultatin përfundimtar 4:0 e vulosi Mërgim Cërnavërni, i cili shënoi në minutën e 90-të.
Pas këtij triumfi, Llapi regjistron fitoren e parë të edicionit dhe merr tri pikë të rëndësishme për vazhdimin e kampionatit.
Në anën tjetër, situata mbetet e vështirë për Vushtrrinë, e cila pas pesë xhirove vazhdon të jetë pa pikë.
